narrativashqiptare.com

Trafikantët shqiptarë ‘shpëtojnë’ nga dëbimi në Britani duke u shpallur viktima skllavërie

viktima

Përkthyer nga Xhuliana Ndreca, gazetare

Disa shtetas shqiptarë të përfshirë në trafikun e drogës në Mbretërinë e Bashkuar kanë pretenduar se janë viktima të skllavërisë moderne, në përpjekje për të shmangur dëbimin nga vendi. Ata kanë paraqitur ankesa në gjykatat e emigracionit, duke argumentuar se janë detyruar nga banda kriminale të kryejnë aktivitetet e paligjshme.

Në dy rastet më të fundit, dy persona të dënuar për trafik droge janë lejuar të qëndrojnë në Britani pasi tribunalet e larta të emigracionit vendosën se gjykatat më të ulëta kishin bërë “gabime në ligj”, duke kërkuar rishqyrtimin e çështjeve të tyre.

Sekretarja e Brendshme britanike, Shabana Mahmood, ka paralajmëruar plane për të dëbuar mijëra kriminelë të huaj dhe azilkërkues të refuzuar përpara se ata të kenë mundësi të përdorin ligjet e të drejtave të njeriut për të bllokuar largimin e tyre. Autoritetet kanë identifikuar 25 vende të konsideruara “të sigurta”, përfshirë Shqipërinë, ku synohet deportimi i menjëhershëm i këtyre personave.

Gjithashtu, qeveria planifikon ndryshime në ligjet për skllavërinë moderne, duke kërkuar që migrantët të paraqesin pretendimet e tyre që në momentin e mbërritjes në Mbretërinë e Bashkuar, dhe jo më vonë.

Shqiptarët renditen si kombësia e katërt më e zakonshme që pretendojnë se janë viktima të skllavërisë moderne, me rreth 2,000 raste të referuara vitin e kaluar. Ata pasohen nga shtetas britanikë (5,110 raste), eritreas (3,083) dhe vietnamezë (1,998).

Në një nga rastet, një 30-vjeçar shqiptar arriti të shmangë deportimin pasi pretendoi se kishte qenë viktimë e skllavërisë moderne. Ai ishte larguar nga Shqipëria në vitin 2014 dhe kishte kaluar disa vite në Francë dhe Belgjikë duke punuar për një bandë droge, përpara se të transportohej në Britani për të punuar në një fermë kanabisi.

Pas arrestimit, ai deklaroi se ishte detyruar të punonte kundër vullnetit të tij dhe se kishte frikë për jetën nëse kthehej në Shqipëri, pasi nuk mund të shlyente borxhin ndaj trafikantëve. Edhe pse autoritetet britanike pranuan mundësinë që ai të ishte viktimë e trafikimit, kërkesa e tij për azil u refuzua fillimisht. Megjithatë, ai fitoi apelimin pasi gjykata konstatoi se pretendimet e tij nuk ishin shqyrtuar siç duhet.

Në një rast tjetër, një shqiptar që kishte hyrë në Britani si 17-vjeçar në vitin 2014 u dënua për posedim kokaine me qëllim shpërndarjeje dhe vepra të tjera penale. Ai bëri disa kërkesa për azil duke pretenduar se ishte viktimë e skllavërisë moderne, por ato u refuzuan.

Në vitin 2024, pas një dënimi tjetër për drogë, autoritetet kërkuan dëbimin e tij. Ai apeloi duke argumentuar se kthimi në Shqipëri do të shkelte Konventën e Refugjatëve dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke pretenduar rrezik hakmarrjeje dhe ri-trafikimi. Edhe kjo çështje u kthye për rishqyrtim për shkak të gabimeve në vendimet e mëparshme.

Burimi: The telegraph

Share

Related Posts

Leave a comment