Analizë nga Lorela Alia.
Pjesëmarrja e grave në politikë është rezultat i një procesi të gjatë historik dhe social. E drejta e votës për gratë u njoh relativisht vonë në shumë vende të botës. Në Europë, një nga momentet e para kur gratë fituan të drejtën për të kandiduar në zgjedhje ishte në fillim të shekullit XX, ndërsa përhapja më e gjerë e të drejtave politike të grave ndodhi kryesisht pas përfundimit të Luftës së dytë Botërore, kur shumë shtete filluan të institucionalizonin parimin e barazisë politike.
Në Shqipëri, sfidat e grave për të qenë aktive në politikë kanë qenë edhe më të theksuara. Megjithëse gjatë periudhës komuniste kishte një numër relativisht të lartë grash në strukturat formale të pushtetit, ky përfaqësim ishte kryesisht simbolik dhe i kontrolluar nga sistemi politik i kohës. Për këtë arsye, nuk mund të flitet për një pjesëmarrje reale dhe konkurruese të grave në politikë para viteve 1990. Vetëm pas rënies së diktaturës dhe fillimit të tranzicionit demokratik u krijuan kushtet për një përfshirje më reale të grave në jetën politike dhe institucionale të vendit.
Pas vitit 2009 është vënë re një përpjekje më konkrete për të rritur pjesëmarrjen e grave në politikë, kryesisht përmes politikave publike dhe reformave ligjore që synojnë të nxisin barazinë gjinore. Megjithatë, ky proces ka qenë dhe mbetet sfidues. Një nga arsyet kryesore është niveli i lartë i polarizimit politik në Shqipëri, i cili shpesh shoqërohet me retorikë të ashpër dhe klimë konfrontuese në debatet publike. Përveç kësaj, faktorë të tjerë që ndikojnë në përfshirjen e kufizuar të grave në politikë janë strukturat patriarkale të shoqërisë, mungesa e mbështetjes brenda partive politike dhe vështirësitë për të balancuar jetën profesionale me përgjegjësitë familjare.
Sipas të dhënave të Eurostat, në vitin 2025 gratë mbanin rreth 33.6% të vendeve në parlamentet kombëtare të vendeve të European Union. Vendet skandinave vazhdojnë të kenë nivelin më të lartë të përfaqësimit të grave në politikë. Për shembull, Finland ka 46.0% gra në parlament, Suedia 44.8% dhe Danimark 44.7%. Ndërkoh vendet që kanë përfaqësim më të ulët në BE janë, Qipro me 14.3%, Hungaria me 15.6% dhe Romania me 22.0%. Në këtë kontekst krahasues, Shqipëria paraqitet relativisht mirë, duke qëndruar mbi mesataren e vendeve të BE-së, por ende larg standardeve të vendeve skandinave. Në legjislaturën 2021–2025 në Kuvendin e Shqipërisë fillimisht u zgjodhën 45 gra deputete, që përbënin rreth 32% të parlamentit. Më vonë, për shkak të dorëheqjeve dhe zëvendësimeve në kuadër të proceseve hetimore të SPAK, numri i grave u rrit në 50 deputete, ose 35.7% të totalit. Edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 ky numër mbeti i pandryshuar, duke përbërë përqindjen më të lartë të grave në parlamentin shqiptar që nga fillimi i pluralizmit politik.
Rritja e numrit të grave në parlament është e lidhur ngushtë me ndryshimet në legjislacionin zgjedhor, veçanërisht me aplikimin e kuotave gjinore. Kodi Zgjedhor i Shqipërisë parashikon që partitë politike duhet të përfshijnë të paktën 30% të gjinisë më pak të përfaqësuar në listat zgjedhore. Në praktikë, kjo masë ka kontribuar në rritjen graduale të përfaqësimit të grave në institucionet politike. Megjithatë, një pyetje e rëndësishme mbetet: sa ndikim real kanë këto gra në proceset vendimmarrëse dhe në avancimin e barazisë gjinore në vend? Në shumë raste, përfaqësimi i grave është më shumë rezultat i detyrimeve ligjore sesa i një transformimi të thellë të kulturës politike. Kandidimi i grave shpesh varet nga vendimmarrja e elitave partiake, të cilat dominohen kryesisht nga burra dhe nga kalkulime strategjike të partive politike.
Një faktor tjetër që ndikon është sistemi zgjedhor proporcional me lista të mbyllura dhe të hapura, ku në praktikë lista e mbyllur konsiderohet si liste e sigurt për partitë kryesore politike. Kjo do të thotë se përzgjedhja e kandidatëve që kanë më shumë gjasa të fitojnë mandat shpesh kontrollohet nga drejtuesit e partive, duke kufizuar konkurrencën reale dhe autonominë politike të kandidatëve, përfshirë edhe gratë.
Për më tepër, ndikimi i grave në proceset ligjbërëse dhe demokratizuese kufizohet nga disa faktorë strukturorë. Së pari, mungesa e demokracisë së brendshme në partitë politike redukton hapësirën e deputetëve për të ndërmarrë iniciativa të pavarura ligjore. Së dyti, në sistemin parlamentar shqiptar ekzekutivi dominon procesin legjislativ, duke qenë iniciatori kryesor i shumicës së projektligjeve. Së treti, polarizimi i thellë politik dhe gjuha e ashpër në debatet publike krijojnë një klimë që shpesh dekurajon përfshirjen aktive të grave në politikë.
Këto sfida reflektohen edhe në dimensione më të gjera të barazisë gjinore në shoqërinë shqiptare. Pavarësisht përparimeve në përfaqësimin politik, gratë vazhdojnë të përballen me pabarazi në tregun e punës, diferenca në paga dhe nivele të larta të dhunës me bazë gjinore. Sipas të dhënave të INSTAT, rreth një në tre gra në Shqiperi ka përjetuar një formë dhune gjatë jetës së saj, ndërsa rastet e femicidit dhe dhunës në familje mbeten një problem serioz social. Sipas raportimeve për periudhën 2021–2023, janë regjistruar 32 raste të grave dhe vajzave të vrara, një tregues alarmues që nënvizon dimensionin e rëndë të dhunës me bazë gjinore në vend.
Në të njëjtën kohë, pabarazitë ekonomike vazhdojnë të jenë të dukshme. Gratë fitojnë mesatarisht rreth 12% më pak se burrat për të njëjtin pozicion pune, ndërsa në sektorin privat ky hendek arrin deri në 15%, veçanërisht në nivelet menaxheriale. Këta tregues dëshmojnë se përfaqësimi numerik i grave në institucione nuk është gjithmonë i mjaftueshëm për të garantuar ndryshime substanciale në statusin social dhe ekonomik të grave në shoqëri.
Në përfundim të analizës tonë, mund të themi që edhe pse Shqipëria ka bërë përparime të rëndësishme në rritjen e përfaqësimit të grave në politikë, sfidat mbeten të shumta. Përfaqësimi i grave nuk duhet të shihet vetëm si një objektiv statistik, por si pjesë e një procesi më të gjerë demokratizimi që kërkon transformim të kulturës politike, forcim të demokracisë së brendshme të partive dhe krijimin e kushteve reale që gratë të kenë ndikim të vërtetë në vendimmarrje.



