Nga: Desiana Hysa (Gazetare)
Në këtë ditë të katërt proteste, si qytetare e këtij kombi dhe njëkohësisht me syrin e një vëzhgimi gazetaresk, ajo që u pa në shesh nuk ishte thjesht përsëritje, por një këmbëngulje që rritet çdo ditë si një ritëm që nuk shuhet, edhe kur nuk përqafohet.
Në qendër mbetet kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, sepse protestuesit e shohin veten jo si pjesë e një skene politike me role të ndërrueshme, por si një zë qytetar që nuk pranon të futet në korniza apo të zbutet sipas interpretimit të të tjerëve.
Momenti kur u dëgjua thirrja “Hiqni kapelet” drejtuar Policisë së Shtetit, dhe një efektiv la detyrën për t’iu bashkuar turmës, mbetet një simbol i fortë që shkon përtej çastit vetë ,një gjest i heshtur që e kthen një skenë të zakonshme në një moment me peshë të madhe kuptimi. Thirrjet “Shqipëria kërkon revolucion” dhe “Nesër përsëri këtu” u përsëritën si një refren që nuk kërkon leje për të ekzistuar, ndërsa reagimi institucional mbeti i largët, thuajse si një pasqyrë që nuk guxon të përballet me reflektimin e vet.
Ndërprerja e internetit në atë zonë u perceptua si një përpjekje për të zbutur jehonën e protestës në rrjetet sociale si një ‘heshtje teknike’ në një kohë kur zëri publik zakonisht nuk ndalet me një buton. Ironia mbetet se në epokën dixhitale, sa më shumë kufizohet sinjali, aq më shumë rritet vëmendja.
Dita e katërt nuk i ndryshoi kërkesat, por i bëri si ai guri që nuk zbutet me kohën por, sa më shumë e godet heshtja, aq më i mprehtë del në sipërfaqe.