narrativashqiptare.com

Punë gjatë ditës, stërvitje intensive në mbrëmje: Klodian Mema, boksieri nga Kukësi që nuk ndalet

3f087328-39f0-43a0-9a68-db8f72024aa5

Nga: Merjeme Tota

Nga një qytet ku mundësitë për sport profesionist janë të kufizuara, një i ri ka zgjedhur një rrugë që kërkon më shumë se talent: punë, disiplinë dhe qëndrueshmëri fizike e mendore. Prej dy vitesh, ai merret me boks, por ndryshe nga shumë sportistë të rinj, përditshmëria e tij nuk nis në palestër. Ajo nis në punë. Vetëm pasi përfundon orët e punës, ai i drejtohet stërvitjes, ku kalon deri në tre orë çdo mbrëmje. Ky ritëm, sipas tij, është bërë pjesë normale e jetës, edhe pse lodhja është e vazhdueshme. Ajo që e bën këtë histori të veçantë nuk është vetëm përkushtimi, por fakti se gjithçka zhvillohet paralelisht: puna për të jetuar dhe stërvitja për një ëndërr që ende nuk ka garanci.  
 
Në fillim, familja nuk e ka mbështetur vendimin e tij për t’u marrë me boks. Arsyeja ka qenë e thjeshtë: një sport i ashpër dhe i pasigurt për të ardhmen. Megjithatë, me kalimin e kohës dhe këmbënguljen e tij, qëndrimi i tyre ka ndryshuar. Sot, ai thotë se mbështetja e familjes është një nga faktorët që e mban në këtë rrugë.
 
Ndryshe nga rrëfimet klasike të suksesit, ai nuk i shmanget humbjeve. Pranon se ka pasur momente të vështira në ring, por i konsideron ato si pjesë të domosdoshme të zhvillimit. Në boks, humbja nuk është vetëm statistikë – është përvojë fizike dhe psikologjike që ndikon drejtpërdrejt në vazhdimësinë e sportistit. Një sport që kërkon më shumë se forcë Sipas tij, diferenca mes boksit amator dhe atij profesionist është e ndjeshme. Në nivelin profesionist, kërkohet më shumë disiplinë, më shumë kohë dhe një përkushtim që shkon përtej stërvitjes. Duhet ta jetosh si stil jete,” shprehet ai.  

Një nga elementët që e karakterizon në ring është kroshja me të djathtën, të cilën e konsideron si goditjen e tij më të fortë. Ndërkohë, megjithëse ka ndryshuar trajner, ai nuk ka ndryshuar stilin e luftimit – një zgjedhje që tregon përpjekjen për përmirësim pa humbur identitetin sportiv.

Fakti që vjen nga Kukësi i jep kësaj historie një dimension tjetër. Në mungesë të infrastrukturës së zhvilluar sportive dhe vëmendjes mediatike, rruga drejt boksit profesionist bëhet edhe më e vështirë. Por pikërisht kjo e bën historinë e tij më domethënëse: një përpjekje për të ndërtuar diçka nga kushte jo ideale.  
Ajo që mbetet në fund nuk është thjesht historia e një sportisti të ri, por kontrasti mes dy realiteteve që ai jeton çdo ditë: punën për të mbijetuar dhe stërvitjen për të arritur diku më shumë. Në këtë mes, ai e përmbledh filozofinë e tij me pak fjalë: disiplinë, punë dhe mosdorëzim.
Klodian Mema Boksier
Share

Related Posts

Leave a comment