Nga: Merjeme Tota
Një “vrasës i pamëshirshëm nga Home Counties” zonat përreth Londrës është dënuar me burgim të përjetshëm pa mundësi lirimi të enjten, pasi qëlloi për vdekje një biznesmen shqiptar në një atentat të lidhur me një gjakmarrje prej 1 milion paundësh, që dyshohet se ishte organizuar nga Mbretëria e Bashkuar.
Ruben Saraiva, i cili ishte rritur në Reading, Berkshire, që nga mosha katër vjeçare, ishte maskuar si korrier kur hyri në një hotel me pesë yje në një resort bregdetar në Ballkan në pronësi të Ardian Nikulaj dhe e qëlloi atë gjashtë herë. Vrasësi i pamëshirshëm kishte fluturuar nga Londra për në Shqipëri dy muaj para sulmit të prillit 2023 si pjesë kyçe e një skuadre të dyshuar britanike – që sipas prokurorëve përfshinte edhe një nënë të re nga Bristol – e punësuar për të kryer atentatin.
Nën masa të rrepta sigurie në Gjykatën e Lezhës në veri të Shqipërisë, gjyqtari i lartë Lirim Bulica i tha Saraivës se do të kalojë pjesën tjetër të jetës në një burg të sigurisë së lartë, pasi u shpall fajtor për vrasje me paramendim në bashkëpunim dhe mbajtje të paligjshme armësh. I veshur me një tuta të zeza Nike, ndërsa qëndronte vetëm disa metra larg bashkëshortes së viktimës, Saraiva tundte kokën në kafazin me xham ndërsa shpallej vendimi.
Vrasja dyshohet se ishte organizuar nga një anëtar i një familjeje rivale shqiptare, tashmë e vendosur në Mbretërinë e Bashkuar, i cili dyshonte se Nikulaj kishte vrarë një të afërm të tyre si pjesë e një gjakmarrjeje mes familjeve që ka zgjatur gati tre dekada dhe ka marrë tashmë nëntë jetë. Sipas prokurorëve, britanikët u zgjodhën për të kryer atentatin sepse, ndërsa Nikulaj ishte i kujdesshëm ndaj vrasësve lokalë, ai nuk do të dyshonte kurrë tek vizitorë nga Anglia.
Saraiva kishte qëndruar për disa ditë i fshehur në një shkallë të një pallati pranë, ndërsa britanikët e tjerë ishin regjistruar në hotelin e sapohapur të Nikulajt në resortin bregdetar të Shëngjinit në veri të Shqipërisë, duke u shtirur si turistë për të spiunuar atë dhe familjen e tij, të cilët gjithashtu punonin aty. Thuhet se ata pranuan ushqime falas nga viktima e tyre e pavetëdijshme, biseduan me bashkëshorten e tij dhe u miqësuan me djalin e tij 13-vjeçar, ndërsa gjurmonin lëvizjet e objektivit, derisa njëri prej tyre dha sinjalin që Saraiva të vepronte. Pamje tronditëse nga kamerat e sigurisë kapën momentin kur 30-vjeçari – i veshur si korrier me jelek reflektues, helmetë motoçiklete dhe maskë kirurgjikale – hyn në barin e hotelit, nxjerr një pistoletë të prodhimit sovjetik dhe hap zjarr.
Burimi: Daily Mail