Nga: Merjeme Tota (studente e gazetarisë në National Training Council of Journalists, Londër)
Në Lagunën e Nartës, pranë Zvërnecit, Shqipëria po përballet me një konflikt që shkon përtej një projekti turistik. Ai prek një çështje themelore të qeverisjes moderne: kur një zonë me rëndësi të lartë ekologjike vihet përballë një investimi shumë miliardësh, a është ligji mjaftueshëm i fortë për të mbrojtur interesin publik?
Sipas raportimeve ndërkombëtare, projekti i propozuar përfshin zhvillime të mëdha turistike Në sistemin lagunor Nartë–Zvërnec, në jug të Shqipërisë perfshire ndërtime në një nga ekosistemet më të ndjeshme bregdetare të Mesdheut, të njohura për flamingot, pelikanët dhe habitatet ligatinore të mbrojtura.
Protesta të gjera në Tiranë dhe në jug të vendit kanë përfshirë mijëra qytetarë, me slogane si “Shqipëria nuk është në shitje”, ndërsa aktivistët mjedisorë kanë ngritur shqetësime për mungesë transparence dhe ndikim të mundshëm të pakthyeshëm në ekosistem.
Në disa raportime është dokumentuar edhe prani e forcave të sigurisë pranë zonës së ndërhyrjes, duke rritur më tej debatet publike mbi mënyrën si po menaxhohet procesi.
Ku qëndron problemi real?
Qeveria shqiptare e ka paraqitur projektin si një investim strategjik për turizmin dhe ekonominë, në përputhje me objektivat e rritjes dhe integrimit europian. Por në vendet me standarde të konsoliduara mjedisore, pyetja nuk është kurrë vetëm ekonomike.
Pyetja është:
A lejohet ligjërisht ndërhyrja?
A është dëmi ekologjik i pranueshëm?
A ekzistojnë alternativa të tjera?
Dhe a është procesi plotësisht transparent?
Në rastin e Zvërnecit, këto pyetje mbeten pa një përgjigje të plotë dhe të dokumentuar publikisht në mënyrë transparente.
Britania: rasti Tipner West dhe kufijtë e zhvillimit
Në Mbretërinë e Bashkuar, projekti Tipner West në Portsmouth është një shembull i qartë se si sistemi ligjor vendos kufij realë mbi zhvillimin kur preket natyra. Projekti parashikonte mijëra banesa dhe zhvillim urban mbi një zonë ligatinore të klasifikuar si:
Special Protection Area (SPA)
Ramsar site (zonë ligatinore me mbrojtje ndërkombëtare)
Këto nuk janë etiketa simbolike, por kategori që sjellin detyrime ligjore strikte për mbrojtjen e biodiversitetit.
Autoritetet britanike, pas vlerësimeve të gjera mjedisore, arritën në përfundimin se:
ndikimi mbi habitatin ishte i pakthyeshëm
masat zbutëse nuk kompensonin humbjen ekologjike
përfitimi urban nuk përbënte “interes publik të mjaftueshëm” për të justifikuar dëmin
Rezultati: projekti nuk u miratua në formën e tij të propozuar.
Ky vendim nuk ishte politik emocional, por rezultat i një sistemi ku evidenca shkencore dhe ligji mjedisor kanë peshë vendimtare.
Parimi britanik: zhvilluesi duhet të provojë se projekti nuk dëmton mjedisin
Në sistemin britanik dhe në kuadrin europian të planifikimit ekziston një parim kyç: Kur një projekt prek një zonë të mbrojtur, zhvilluesi duhet të provojë se dëmi është i justifikueshëm dhe se nuk ka alternativë tjetër të arsyeshme. Kjo përfshin:
analiza të detajuara të ndikimit mjedisor
vlerësim alternativash të lokacionit
test të “interesit publik madhor”
dhe shqyrtim të pavarur institucional
Në praktikë, ky standard ka çuar në bllokimin ose rishikimin e shumë projekteve të mëdha në zona ligatinore në Britani dhe BE.
BE: habitatet nuk janë tokë zhvillimi
Sipas Direktivës së Habitateve dhe Direktivës së Zogjve të BE-së:
habitatet e mbrojtura nuk mund të dëmtohen për zhvillim ekonomik të zakonshëm
përjashtimi lejohet vetëm në raste ekstreme me interes publik madhor
kompensimi nuk zëvendëson humbjen ekologjike të pakthyeshme
Në praktikë kjo ka sjellë:
anulim projektesh infrastrukturore
zhvendosje investimesh larg zonave të ndjeshme
dhe shqyrtime të gjata institucionale para vendimeve përfundimtare
Shqipëria: debati për transparencën dhe besimin publik
Në rastin e Zvërnecit, kritikat nuk kufizohen vetëm te ndikimi mjedisor.
Ato lidhen edhe me:
mungesën e transparencës së plotë mbi dokumentacionin e projektit
konsultime publike të kufizuara
perceptimin e një procesi të shpejtë në raport me ndjeshmërinë e zonës
Raportime ndërkombëtare kanë ngritur gjithashtu shqetësime mbi procedurat ligjore dhe ndryshimet e statusit të tokës që kanë hapur rrugën për zhvillimin në zonën e mbrojtur.
Sistemi ligjor i Britanisë do ta trajtonte një projekt të tillë në një zonë të ngjashme si një çështje me rrezik të lartë ekologjik dhe ligjor.
Në këto kushte, një zhvillim i madh në një ligatinë të mbrojtur:
do të përballej me bllokim në fazat e hershme të vlerësimit mjedisor, ose
do të rrëzohej pas shqyrtimit institucional dhe ligjor
Kjo tregon një dallim themelor në qasje: në sistemet britanike dhe europiane, mbrojtja e natyrës nuk është një faktor negociues, por një kufi ligjor. Në këtë kuptim, debati për Zvërnecin nuk është vetëm për një projekt, por për standardin e vendimmarrjes publike:
a është natyra e mbrojtur një pasuri e paprekshme, apo një hapësirë që mund të negociohet për zhvillim ekonomik?