narrativashqiptare.com

Shqiponja e vogël shqiptare mahnit botën: Redvana Hoti vlerësohet nga legjendat Klitschko

WhatsApp Image 2026-04-14 at 16.12.46

Nga: Merjeme Tota

Në një botë ku sporti i boksit shpesh dominohet nga meshkujt, një vajzë e vogël shqiptare po sfidon stereotipet dhe po ndërton një histori frymëzuese suksesi. Redvana Hoti, vetëm 8 vjeçe, me origjinë shqiptare dhe e rritur në Francë, është kthyer në një emër që po tërheq vëmendjen jo vetëm në qytetin e La Rochelle, por edhe më gjerë.

E lindur në një familje me rrënjë të forta shqiptare, Redvana u rrit me vlerat e punës, sakrificës dhe krenarisë kombëtare. Babai i saj, Gazmiri, u detyrua të largohej nga Shqipëria vite më parë për të siguruar një jetë më të mirë dhe më të sigurt për familjen. Rruga e tij nuk ka qenë e lehtë: përballje me vështirësi, pasiguri ligjore dhe madje edhe dëbim i përkohshëm nga Franca. Por falë qëndresës dhe mbështetjes së komunitetit, ai arriti të rikthehej pranë familjes së tij, duke u bërë një simbol i forcës dhe përkushtimit.

Në këtë realitet sfidues, Redvana gjeti rrugën e saj në sportin e boksit. Së bashku me motrat e saj, Rubi Hoti 13 vjec, Hotiana Hoti 6 vjeçare, Redvana filloi të stërvitet në klubin e boksit në La Rochelle, duke treguar që në hapat e parë një disiplinë dhe vendosmëri të rrallë për moshën e saj. Trajneri i saj e përshkruajnë si një talente të jashtëzakonshme, me instinkt të fortë sportiv dhe një etikë pune që e dallon nga bashkëmoshatarët.

Ajo nuk është vetëm një sportiste premtuese, por edhe një nxënëse e mirë. Balancimi i shkollës me stërvitjen intensive nuk e ka penguar aspak; përkundrazi, e ka forcuar karakterin e saj. Për këtë arsye, Redvana ka marrë shpesh vlerësime dhe përgëzime, edhe nga kampionet e botes ne boks, vëllezërit Vitali dhe Vladimir Klitscho duke u shprehur se ka potencialin të bëhet më e mira në botë. 

Një nga momentet më kulmore të rrugëtimit të saj ishte pjesëmarrja në ceremoninë hapëse të kampionatit amator të Francës në boks, të zhvilluar në La Rochelle, ku ambante flamurin francez. Ky ishte një vlerësim i veçantë për përkushtimin dhe potencialin e saj, por njëkohësisht edhe një moment krenarie për identitetin e saj të dyfishtë. Sepse, edhe pse përfaqëson Francën në sport, në zemrën e saj jeton fort Shqipëria.

Historia e Redvanës është më shumë se një rrëfim sportiv; është një histori qëndrese, identiteti dhe krenarie kombëtare. Ajo përfaqëson një brez të ri shqiptarësh në diasporë, të cilët me talentin dhe punën e tyre po nderojnë emrin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Me hapa të sigurt drejt së ardhmes, Redvana pritet së shpejti të hyjë në ndeshje të mirëfillta, duke hapur një kapitull të ri në karrierën e saj. Dhe ndërsa ngjitet në ring, ajo nuk lufton vetëm për fitore personale, por edhe për ëndrrat e familjes së saj, për sakrificat e babait dhe për krenarinë e flamurit kuqezi.

Share

Leave a comment