Nga: Xhuliana Ndreca (Gazetare)
Në një kohë kur shëndeti fizik shpesh vihet në plan të dytë dhe jetesa sedentare po bëhet normë, profesioni i fizioterapistit merr një rëndësi të veçantë. Ornela nuk e sheh fizioterapinë thjesht si një punë – për të, është një mision, një mënyrë për të ndihmuar trupin dhe mendjen të bashkohen në harmoni. Nga trajtimi i dhimbjeve kronike tek edukimi për kujdesin trupor, ajo synon të ndërgjegjësojë shoqërinë shqiptare për rëndësinë e mirëqenies së plotë fizike dhe psikologjike.
Intervista e plotë:
Ornela, nëse do ta përkufizoje përtej termit teknik, çfarë përfaqëson fizioterapia në jetën tënde – një profesion i zgjedhur apo një mision i ndjerë?
Fizioterapia për mua është shumë më shumë sesa një profesion, është një identitet. Eksperienca ime në fizioterapi më ka bërë më të ndjeshme ndaj trupit, mendjes dhe qenies sime në tërësi. Më ka bërë të kuptoj se sa e rëndësishme është të kujdesem për shëndetin në terma afatgjatë. Dhe këtë mundohem ta ndaj çdo ditë me pacientët e mi. Më ka mësuar se njeriu, në gjithë kompleksitetin e tij, është një njeri që ka nevoja. Ka nevojë për besim dhe përkujdesje. Ka nevojë të kuptohet dhe të trajtohet në mënyrë holistike: trup–mendje–shpirt. Dhe ky është misioni im: të risjell në funksion mendjen dhe trupin. Ne jetojmë për të pasur, por në fakt duhet të jetojmë për të ndjerë. Dhe ku ka më bukur sesa të kuptosh mendjen dhe trupin tënd?!
Çfarë momenti apo bindjeje të brendshme të shtyu të vazhdoje universitetin pikërisht në këtë drejtim? Ishte një zgjedhje e arsyes apo e zemrës?
Mendoj se është një zgjedhje e përbashkët, e arsyes dhe e ndjenjës. Kurioziteti për të mësuar për trupin tim ka lindur që në moshë të hershme, ndërsa aftësia e përkujdesjes është rritur me mua. Për të qenë një profesionist, duhet t’i kesh të dyja, edhe arsyen edhe zemrën, sepse po s’pate arsyen, s’ke profesionalizmin, dhe po s’pate zemrën, s’ke përkujdesjen.
Si e kujton kontaktin e parë real me pacientin? Çfarë përgjegjësie ndjeve në momentin kur kuptove se dikush po të besonte shërimin e trupit të tij?
Kam qenë studente. Në atë kohë bëja praktikë në një klinikë pranë universitetit. E kujtoj si sot, kur mora përgjegjësinë e doktorit për herë të parë. Nuk u shfaqa kurrë si studente; doja që atëherë që pacientët ta kuptonin që unë jam e përgjegjshme për atë që bëj. Ishte një emocion i përzier patjetër me frikë, por gjithmonë kam fituar mbi frikën. Arrita të fitoja besimin e pacientëve që atëherë dhe kjo për mua ishte një provë që unë po bëja gjënë e duhur.
Shpesh dhimbjen e konsiderojmë kalimtare. Kur është momenti që ajo duhet parë si një sinjal serioz për t’iu drejtuar fizioterapistit?
Që në momentin e parë. Dhimbja është alarm. Dhe sikurse alarmi duhet fikur, ashtu duhet trajtuar edhe dhimbja. Sistemi ynë nervor përgjigjet ndaj shkaqeve të ndryshme. Dhe këtu koha vendos nëse kjo përgjigje do të bëhet konsistente në trupin tënd apo do të zgjidhet që në hapat e parë. Organizmi ynë funksionon sipas sistemeve të ndryshme, dhe nëse një sistem nuk funksionon, kjo ndikon në të gjitha sistemet e tjera.
Si ka evoluar ndër vite ndërgjegjësimi i shqiptarëve për kujdesin ndaj trupit? A jemi ende në kulturën e “durimit të dhimbjes”?
Shpesh dëgjoj nga pacientët e mi: “Jam mësuar me dhimbjen”, dhe kjo është një simptomë e stisur nga neglizhenca. Fatkeqësia më e madhe është të mos jesh i përgjegjshëm për trupin tënd apo për sinjalet që jep ai.
Si trajtohet sot profesioni i fizioterapistit në Shqipëri – a ka marrë vendin që meriton në sistemin shëndetësor?
Fizioterapisti nuk e ka marrë akoma meritën e duhur si nga shoqëria ashtu edhe nga sistemi. Sistemi shëndetësor në Shqipëri është goxha i ngurtësuar për fizioterapistët. Duhet të punohet më shumë për të hapur dritare të reja për profesionistët fizioterapistë në Shqipëri, sepse shumë kolegë të aftë ose po largohen ose nuk e vazhdojnë si profesion. Uroj që në të ardhmen të ofrohen më shumë vende pune dhe të kemi një sistem më të organizuar nga shteti shqiptar.
A ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë mes trupit që çlirohet nga dhimbja dhe mendjes që qetësohet? Në ç’mënyrë ndikon fizioterapia në shëndetin mendor?
Kjo është një pyetje shumë e bukur, së cilës përgjigjen ia kthej çdo ditë në rastet që unë trajtoj. Fizioterapia në themelin e saj ka relaksimin e sistemit nervor. Dhe po, ka një lidhje të drejtpërdrejtë me relaksimin e trupit. Muskujt janë ata që përcaktojnë mirëqenien tonë, duke ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë tonë të jetës. Janë mburoja e trupit dhe janë përgjegjës për mirëfunksionimin e organizmit. Prandaj përgjigjen e sistemit nervor e marrin muskujt në rast stresi apo ngarkese psikologjike. Teknikat manuale bëjnë të mundur që muskujt të relaksohen dhe, si pasojë, edhe sistemi ynë nervor.
Cilat grupmosha po shfaqin më shpesh problematika fizike vitet e fundit dhe çfarë tregon kjo për stilin tonë të jetesës?
Grupmoshat janë të ndryshme, por mbizotërojnë moshat e reja 25–30. Kjo për shkak të jetës sedentare dhe mosqasjes në sport. Njerëzit janë të prirur të jenë të varur në botën virtuale që na rrethon dhe pak janë aktivë. Nëse trupi nuk lëviz dhe nëse nuk ushtrojmë muskujt, ne nuk mund të jemi të shëndetshëm.
Teknologjia ka ndryshuar mënyrën si qëndrojmë, lëvizim dhe punojmë. Çfarë është sindroma “text neck” dhe sa serioze janë pasojat e saj në afatgjatë?
Po, shumë e drejtë. Sindroma “text neck” është një nga sindromat më të rrezikshme për shëndetin, pasi ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetës sonë. Është një sindromë e “kohërave moderne” që prek qafën, duke dhënë simptoma të ndryshme si p.sh.: dhimbje qafe, dhimbje koke, marramendje, probleme me fokusin, humbje ekuilibri etj. Nëse nuk trajtohen në kohë, mund të çojnë në kronikizimin e këtyre simptomave (vuajtjen e përhershme të tyre).
A po përballemi me një “lodhje moderne” të trupit për shkak të stilit sedentare dhe përdorimit të tepërt të pajisjeve dixhitale?
Po, definitivisht. Bota virtuale është bërë mënyrë jetese dhe ky është një problem që duhet luftuar. Njerëzit duhet t’i rikthehen natyrës, sportit dhe jetës së gjallë përpara se të jetë shumë vonë.
Përveç profesionit, je edhe vrapuese e vlerësuar në gara kombëtare dhe ndërkombëtare. A lindi pasioni për vrapimin nga njohja e trupit përmes profesionit, apo ka qenë një pjesë e pandarë e identitetit tënd?
Siç e shpreha më lart, përgjegjësinë për pacientët e kam marrë që në fillimet e mia dhe që atëherë kam dashur të jem një shembull i mirëqenies dhe jetës aktive për pacientët e mi. Fakti që isha fizioterapiste dhe e njihja trupin në mënyrë biomekanike, më ka ndihmuar ta zhvilloj më tej, sepse vrapi, mund ta them pa ndroje, është një nga sportet më të vështira që mund të zhvillojë një njeri amator. Atletika ka qenë gjithmonë pjesë e identitetit tim, por kurioziteti për të shtyrë limitet e mia dhe për të parë se ku arrin trupi është ajo çfarë më ka bërë ta zhvilloj. Ajo çfarë unë kam kuptuar është se trupi është i limituar, por mendja jo. Një marrëdhënie e shëndoshë me mendjen sjell një trup të shëndoshë.
A është vrapimi i mjaftueshëm për një shëndet optimal, apo duhet të shoqërohet me forma të tjera aktiviteti për të ruajtur balancën muskulore?
Vrapimi është një mënyrë shumë e mirë për të filluar një aktivitet sportiv dhe për të dalë nga jeta inaktive që na shoqëron çdo ditë.
Patjetër që duhet të kombinohet me ushtrimet e forcës dhe të balancës për t’i dhënë qëndrueshmërinë e duhur trupit. Vrapimi është një sport traumatik që ka nevojë të ndiqet në mënyrë të kujdesshme nga një profesionist në fillimet e tij. Përndryshe mund të përfundojë në dëmtime të panevojshme. Të mësosh se si lëviz trupi do kohë. Të mësosh se si lëviz trupi yt do fokus. Mendja dhe trupi duhet të jenë në sinergji, të punojnë së bashku, që të marrësh më të mirën e atletikës.
Në një fushë që evoluon vazhdimisht, cila është një risi apo qasje që do të doje ta sillje apo ta zhvilloje më tej në fizioterapinë shqiptare?
Në Shqipëri ka shumë gjëra që duhet të evoluojnë në profesionin tim. Unë i jam përkushtuar teknikave manuale ose qasjes handling në trajtimin e problematikave të ndryshme, si p.sh. specializimet më të fundit që kam bërë: MULLIGAN dhe PNF (Proprioceptive Neuromuscular Facilitation).
Nëpërmjet fizioterapisë, dua që njerëzit të kuptojnë më shumë rreth trupit dhe mendjes së tyre dhe t’iu tregoj mënyrën e lidhjes trup–mendje. Dua të zhvilloj më shumë qasjen holistike (globale) të pacientit, duke e marrë pacientin si një njeri në të gjitha aspektet e tij psiko-sociale, jo vetëm në aspektin e limitimit dhe rikthimit të funksionit. Uroj që shumë shpejt fizioterapia shqiptare të marrë standardet që meriton.
Sipas teje, a është lëvizja një luks i nënvlerësuar derisa e humbasim?
Lëvizja është një aftësi me të cilën lindim dhe zhvillohet më tej nëpërmjet aktiviteteve. Sa më shumë aktivitete mësohen, aq më shumë trupi fiton rezistencë dhe lëvizje. Aftësia e trupit për të lëvizur është një nga aftësitë më të nënvlerësuara dhe kjo është gjëja më e gabuar që ne bëjmë. Ndalojmë së zhvilluari këtë aftësi dhe nuk arrijmë të njohim potencialin real të trupit. Kjo është një fatkeqësi në këtë jetë “moderne” ku po jetojmë. Vetëm kur e humbasim, kuptojmë që kurrë s’mund të kthehemi siç kemi qenë më parë, sepse trupi mund të rigjenerohet, por pasojat janë të parikthyeshme.
Si mund ta dallojë një person marramendjen me origjinë cervikale nga forma të tjera të vertigos apo çrregullimeve të ekuilibrit?
Marramendja është një nga simptomat më të shpeshta të cervikales dhe dallohet nga shkaqet e tjera sepse:
1. Nuk është konsistente. Pra, shfaqet me dhimbjen e qafës apo në raste kur kemi tension të madh muskular.
2. Shoqërohet me turbullim të vizionit.
3. Shoqërohet me lëvizjen e kokës dhe qafës.
A mund të trajtohet plotësisht marramendja cervikale përmes fizioterapisë dhe sa rol luajnë ushtrimet posturale në përmirësim?
Fizioterapia ndihmon në menaxhimin e marramendjes në terma afatgjatë. Ajo çfarë e mban këtë përmirësim është konsistenca e pacientit me ushtrimet posturale, pasi postura ndikon në mënyrë direkte në shëndetin tonë, sidomos në simptomën e marramendjes. Siç e kam thënë edhe më lart, trupi ka nevojë të edukohet në mënyrë konsistente dhe kjo është zgjidhja e vetme për të mos pasur shqetësime të mëtejshme.
Çfarë këshille do t’u jepnit personave që përjetojnë shpesh ndjesi marramendjeje, por nuk e kanë kuptuar ende shkakun?
Si fillim, do t’i këshilloja të mos kenë stres, sepse ngarkesa psikologjike e rëndon simptomën. Duhet të ruajnë qetësinë derisa të zbulohet shkaku real. Mos të bëjnë lëvizje të pakontrolluara dhe të shpejta.
Të flenë 7–8 orë çdo ditë.
Të konsumojnë nutrientët e nevojshëm gjatë ditës. Mënyra e jetesës është ajo çfarë definon përmirësimin.
Në fund, cilat janë 2–3 këshilla thelbësore që çdo njeri duhet të mbajë mend për të mbrojtur trupin e vet nga dëmtimet dhe për të ruajtur cilësinë e jetës?
Jeta e shëndetshme është investim. Është investim në trup, mendje dhe shpirt. Dhe kur këto të treja janë të ushqyera, qenia njerëzore e ka plotësuar qëllimin e tij. Ajo çfarë bëjmë çdo ditë, çfarë mendojmë apo çfarë ndjejmë është ajo e cila definon jetën. Le të bëjmë gjëra të vogla çdo ditë, që në të ardhmen të përfitojmë frytet që kemi dashur gjithmonë.