Opinion nga Liridona Beqiri
Ka një moment në jetën e çdo vajze kur fillon të pyesë veten nëse po flet shumë apo thjesht po flet drejt. Kur fillon të matë fjalët, tonin, madje edhe ëndrrat, vetëm që të mos duket “e tepruar”. Kam parë vajza të zgjuara të mësohen të dyshojnë te vetja, vetëm sepse zëri i tyre nuk përshtatej me atë që shoqëria e quante “të pranueshme”. Kam qenë edhe vetë njëra prej tyre.
Krenaria ka qenë gjithmonë e rezervuar për meshkujt, ndërsa nderi historikisht lidhej me femrat. Këto dy “vlera” së bashku kanë ndërtuar kështjellën e familjes shqiptare – një kështjellë ku janë ngujuar miliona histori të kushtëzimeve emocionale, të shtypjes së grave, të frikës dhe të kufizimeve të mendjes. Këtë e ka ndjerë cdo vajzë ëndërrimtare, mu në ato qoshe lagjesh ku vazhdimisht është kultivuar përbuzja ndaj femrës, duke i imponuar asaj t’i nënshtrohet çdo shikimi dinak, çdo komenti patetik që vjen nga dobësia e mashkullit që ndihej i kërcënuar.
Thjesht është e lodhshme të jetosh duke u tkurrur për t’u bërë e pranueshme, duke matur fjalët, tonin, ambicien për të qenë e përshtatshme kundrejt normave që shoqëria jonë i ka vendosur si sdandard.
E në fakt, shoqëria ende e ka problem vajzën që nuk kërkon leje për të qenë vetvetja. E vërteta është se shoqëria nuk ka frikë nga vajzat e forta sepse janë të gabuara, ka frikë sepse ato nuk kontrollohen lehtë.
Megjithatë, forca e një vajze nuk matet me sa zëra kundër ka, por me faktin që ajo vazhdon të ecë përpara edhe kur nuk i duartrokasin. Sot, më shumë se kurrë, nuk është çështje mode të jesh vajzë apo grua mendjehapur, aktive, e zëshme dhe e përfshirë. Është domosdoshmëri. Dhe të jesh e tillë në një sistem që nuk e pret, është një akt i heshtur rebelimi me shumë klas.
Të jesh vajzë/grua do të thotë shpesh të ecësh me mendjen zgjuar dhe shpinën drejt, jo ngaqë është e lehtë, por sepse është e domosdoshme. Është të jesh mbajtëse e traditës, por edhe arkitekte e ndryshimit, duke ecur me elegancë përballë barrierave që kërkojnë forcë dhe mençuri për t’u thyer. Është të ruash dinjitetin dhe integritetin, ndërsa sfidon një realitet që shpesh të vë në prove. Të jesh vajzë/grua është të jesh një luftëtare e heshtur në një betejë që nuk mbaron kurrë. Është të ngrihesh çdo ditë përballë një sistemi që shpesh të harron, por që ti e sfidon me guxim dhe dinjitet. Është të mbash mbi supe pritshmëritë e shoqërisë, familjes, dhe vetvetes, ndërsa lufton për të drejtën tënde të thjeshtë: të dëgjohesh, të vlerësohesh, të ekzistosh pa barriera dhe paragjykime. Në fund, është të jesh e palëkundur — jo vetëm mbijetuar, por fitimtare në një lojë ku rregullat janë shkruar për t’u thyer. Dhe kjo, më shumë se çdo fjalë tjetër, është epika më e madhe që një vajzë apo grua mund të jetojë.
Shoqëria mund të mos jetë ende gati për vajza që flasin lirshëm, që ëndërrojnë shumë dhe që nuk kërkojnë falje për ambicien e tyre dhe e do vajzën e fortë vetëm derisa ajo të mos shqetësojë askënd. Por një vajzë që nuk pranon të minimizohet, i detyron të tjerët të rishikojnë bindjet e tyre. Dhe kjo nuk është gjithmonë komode dhe e lehtë.
Megjithatë, koha punon për vajzat që nuk frikësohen të sfidojnë stigmat, për vajzat që guxojnë të sfidojnë rregullat, për brezat që flasin lirshëm, që ëndërrojnë shumë dhe që nuk kërkojnë leje për të qenë vetvetja. Çdo hap i tyre copëzon barrierat e së shkuarës dhe hap rrugën për të ardhmen.
Dhe ndoshta ajo që nuk thuhet mjaftueshëm është kjo: ne nuk po ecim më vetëm. Çdo vajzë që sot zgjedh veten, zgjedh edhe për një tjetër. Çdo kufi i thyer nuk mbetet akt individual, por bëhet hapësirë për të tjerat. Në këtë rrugë ka lodhje, por ka edhe gëzim, gëzimin e të parit veten dhe njëra-tjetrën më të lira, më të plota, më të papërkulura sepse fuqia jonë nuk është vetëm në zërin individual, por në faktin që po mësojmë të mos e heshtim më asnjëra-tjetrën.
Nga këtu, mos zgjidhni të jeni vajza që pëlqehet nga të gjithë. Zgjidhni të jeni vajza që nuk gënjen veten, bvajza që rrisin botën. Dhe po- kjo ka kosto. Do të gjykoheni. Do të keqkuptoheni. Por heshtja ka një kosto më të madhe: të jetoni një jetë që nuk ju përfaqëson. Për çdo vajzë që është duke luftuar, për çdo vajzë që nuk guxon akoma, bëhu arsyeja që besimi dhe guximi nuk do të shuhet kurrë. Sepse e ardhmja nuk do të ndërtohet me ato që trashëguam, por me ato që guxojmë të ndryshojmë.
Realizuar nga Judita Perndrecaj