Nga Redaksia
Në një treg gjithnjë e më konkurrues dhe në një realitet ku sipërmarrja kërkon forcë karakteri, qëndrueshmëri dhe vizion, El Jolie vjen si një shembull i një gruaje që ka sfiduar rrethanat për të ndërtuar veten dhe profesionin e saj. Në këtë intervistë ekskluzive për median tonë, ajo ndan rrugëtimin personal, filozofinë e lidershipit dhe parimet që e kanë shoqëruar drejt një marke që synon të bëhet e njohur në industrinë e bukurisë.
1. Si e menaxhoni stresin në jetën e përditshme si lidere?
Stresi është i pashmangshëm, sidomos kur drejton, por unë e shoh si pjesë natyrale të jetës. E rëndësishme është të mos e lejoj të kthehet në ankth. Kam krijuar balancë duke punuar vazhdimisht me veten. Çdo ditë i kushtoj një orë kohë të pastër me time: nuk merrem me punë, vetëm dëgjoj muzikë ose bëj meditim. Kjo më qetëson mendjen dhe më mban të fokusuar.
2. A ka pasur momente ku jeni ndier e vetme apo emocionalisht e thyer?
Po, absolutisht. Të jesh një grua e vetme pa asnjë mbështetje është tepër sfiduese. Momenti më i vështirë për mua ishte ndarja nga babai i djalit tim. Ishte një situatë e dhimbshme emocionalisht dhe shkatërruese. Por unë zgjodha të mos rrëzohem. U përkushtova tek djali, puna dhe investova tek vetja përmes kurseve dhe kualifikimeve — e dija që ajo do të ishte baza ime për të ecur përpara.
3. Çfarë mesazhi do t’i jepnit çdo gruaje që përballet me sfida?
Respektojeni veten. Dashurojeni veten. Çdo gjë është e mundur kur lufton për atë që do. Këmbëngulja dhe durimi janë të domosdoshme për të kaluar çdo pengesë.
4. Keni një rutinë personale që ju ndihmon të ruani ekuilibrin mendor?
Po. Çdo natë para se të fle, bëj 15 minuta meditim. Është një ritual i vogël, por shumë efektiv. Ndërsa në mëngjes, para se të ngrihem, ushqej mendjen me energji pozitive. Shpesh, gjatë rrugës dëgjoj “Train Your Aura” nga Napoleon Hill. Më mban në një gjendje mendore të qetë dhe të fokusuar.
5. Si i qëndroni besnike qëllimeve, edhe kur disa prej tyre duken të paarritshme?
Unë fokusohem te gjërat që dua, jo te pengesat. Edhe kur di që disa gjëra mund të mos realizohen ose do të kërkojnë kohë, nuk i lë ëndrrat në sirtar. I provoj. Nëse nuk funksionojnë, të paktën e di që kam bërë përpjekjen.
6. Cilat kanë qenë sfidat më të mëdha në ndërtimin e biznesit tuaj?
Çdo gjë në jetë është e vështirë, njësoj si ndërtimi i një biznesi. Kam kaluar shumë sfida, por kam zgjedhur të rritem përmes tyre. Jam fokusuar tek vetja duke ndjekur kualifikime, kurse dhe duke lexuar libra që më kanë ndihmuar të forcoj aspektet që më mungonin në profesion.
7. Pse mendoni se edukimi personal është kaq i rëndësishëm?
Edukimi i vetes është themeli. Nuk është i rëndësishëm vetëm për biznesin, por për karakterin, disiplinën dhe për formulimin e drejtë të mënyrës se si mendon dhe si vepron. Nëse nuk investon tek vetja, asgjë tjetër nuk mund të ndërtohet qëndrueshëm.
8. Si e përballoni momentet kur stresi bëhet i rëndë?
Kam pasur shumë momente të tilla. Por gjithmonë rikthehem te vizioni im. Kujtoj veten pse kam nisur, ku dua të arrij dhe çfarë jam e aftë të bëj. Dhe mbi të gjitha, çdo ditë i jap vetes kohën time, e cila është shumë e rëndësishme për shëndetin mendor.
9. A jeni përballur me kritika dhe si i keni menaxhuar ato?
Po, si në punë, ashtu edhe në rrjetet sociale. Por kritikat i kam parë si mësim dhe si sfidë për veten. Jam ambicioze dhe kërkoj shumë nga vetja. Perfeksioni nuk ekziston, por përpjekja për t’u përmirësuar është ajo që të çon përpara.
10. Si ndërtoni besimin me klientët në industrinë e bukurisë?
Në këtë fushë ka shumë zgjedhje, por unë dua që çdo klient të ndihet i veçantë. Vendos veten në vendin e tyre dhe jam transparente. Nëse një trajtim nuk është i duhuri për ta, ua them hapur dhe ua shpjegoj arsyet. Besimi ndërtohet në sinqeritet dhe komunikim të pastër.
11. Cili është vizioni juaj për El Jolie dhe çfarë mesazhi keni për sipërmarrësit e rinj?
Synimi im është që El Jolie të bëhet një brand i njohur dhe i respektuar. Për sipërmarrësit e rinj, kam një mesazh të thjeshtë: jini vetvetja, dashuroni atë që bëni dhe mos e vendosni paranë gjithmonë në qendër. Fokusohuni te klientët besnikë. Dhe mos harroni — çdo kritikë nuk është një sulm; shpesh është një ngritje në rrugën tuaj.
Në fund të ditës, historia e El Jolie nuk është thjesht një rrugëtim suksesi. Eshtë një dëshmi e forcës që lind nga brenda. Ajo tregon se edhe kur jeta të sfidon, kur rrugët duken të mjegulluara dhe kur mbështetja mungon, njeriu mund ta rindërtojë veten nga themelet. Me disiplinë, kujdes ndaj vetes, dashuri për profesionin dhe vizion të palëkundur, El Jolie po ndërton jo vetëm një brand, por një filozofi të të jetuarit.
Rrëfimi i saj mbetet një ftesë e hapur për çdo grua dhe çdo sipërmarrës që po lufton me sfida:
qëndroni të fortë, punoni me veten dhe mos e humbni kurrë besimin tek rruga që keni nisur. Në fund, suksesi nuk është rastësi — është zgjedhje, kurajë dhe këmbëngulje.


