narrativashqiptare.com

Si Era Dankshi shëron ankthin dhe ndërton forcë mendore

Era Dankshi
Nga: Merjeme Tota

Ka hapësira që duken krejt të zakonshme, por brenda tyre ndodhin transformime të padukshme për syrin.
Era Dankshi është shembulli i gjallë i një gruaje që i është kundërvënë ankthit me strategji të thjeshta dhe të arritshme: vendosmëri, disiplinë dhe një filozofi të fortë të vetëmenaxhimit emocional.

Në një kohë kur frika, pasiguritë dhe stresi gërryejnë themelet e mendjes, ajo ndërton besim dhe qetësi atje ku shumica dorëzohen. Nuk premton zgjidhje të menjëhershme, as rrugë të shkurtër — por beson se fuqia për të përballuar turbullirat mendore gjendet brenda çdo individi.

Sot, përmes fjalës dhe shembullit të vet, dëshmon se qetësia nuk është privilegj, por aftësi që mund të kultivohet. Më e rëndësishmja: ajo u mëson të tjerëve ta bëjnë këtë, pa iluzione, pa shkurtesa, vetëm me punë të vazhdueshme me veten.

Në një bisedë ekskluzive me Erën, ajo na tregon më shumë për rrugëtimin e saj personal, sfidat që ka përballuar dhe filozofinë që e bën të qëndrojë e fortë përballë ankthit dhe stresit.

Ja çfarë na rrëfeu:

 

1. Mund të na tregosh pak për fillimet e tua? Çfarë të shtyu të bëhesh instruktore palestre?

-Rrugëtimi im me sportin është shumë i gjatë, jam marrë me sport gati gjithë jetën time, që në vogëli. Përveç kurseve sportive kur isha fëmijë, më vonë studimeve për sportin, tani aktualisht jam trajnerë e mirëfilltë Crossfiti & Fitnessi. Fillova të stërvitesha shumë fort për veten time, stërvitja më ka ndihmuar si për shëndetin fizik, ashtu edhe për mirëqenien mendore.

2. Gjatë këtij rrugëtimi, cilat kanë qenë momentet më të vështira dhe më të bukura që ke përjetuar në profesionin tënd?

-Momente të vështira ka pasur, sidomos në fillimet kur më duhej të ndërtoja besimin e klientëve tek unë. Ka pasur raste kur shihja persona që dorëzoheshin shpejt, dhe kjo ishte sfiduese emocionalisht. Ne gjithashtu luajmë dhe rolin e një psikologu në rastin tonë. Por nga ana tjetër, momentet më të bukura janë kur klientët arrijnë objektivat e tyre, jo vetëm fizikisht, por edhe emocionalisht. Kur dikush më thotë “më ke ndryshuar jetën”, ky është shpërblimi më i madh për mua.

Momente të tjera të vështira për mua kanë qenë kur unë duhet të përgatitesha për garën e vitit. Ishte një sfidë shumë e fortë, sidomos për mua, që duhet të përballoja gjithë lodhjen e ditës, duke u kujdesur për dy të vegjlit e mi, duke u kujdesur për shtëpinë, për mënyrën e të ushqyerit, për oraret e punës, dhe për stërvitjen që duhet të jepja maksimumin. E gjithë kjo lodhje mu shpërblye, duke dalë deri sot dy herë kampione në garat e Crossfit të zhvilluara në Shqipëri.

Në përvojën tënde, sa ndikim ka aktiviteti fizik tek shëndeti mendor i njerëzve?

Ndikimi është i jashtëzakonshëm. Aktiviteti fizik ndihmon në lirimin e endorfinës (hormonit të lumturisë) dhe ul nivelet e stresit. Njerëzit bëhen më të qëndrueshëm emocionalisht, më të përqendruar dhe më pozitivë. Madje, edhe një seancë e vetme stërvitjeje mund të përmirësojë humorin dhe energjinë e ditës. Këtu flas dhe për raste konkrete që kam hasur gjatë kohërave, njerëz që më falenderonin, sepse në përfundim e ndjenin veten të shëruar nga çdo gjendje emocionale, por dhe shëndetësore.

A ke parë ndryshime emocionale ose psikologjike tek klientët e tu pas një periudhe të rregullt stërvitjeje?

Po, shumë shpesh. Kam pasur klientë që kanë ardhur me vetëbesim të ulët, të mbingarkuar nga stresi apo të demotivuar. Pas disa javësh stërvitje të qëndrueshme, ata fillojnë të ecin më drejt, flasin më me bindje, qeshin më shpesh dhe përballojnë më lehtë vështirësitë. Ky transformim emocional është po aq i rëndësishëm sa ai fizik.

Nëse dikush vuan nga ankthi, stresi apo vetëbesim i ulët, si mund ta ndihmojë palestra në mënyrë reale?

Palestra nuk është vetëm vend për të djersitur, është një mjedis ku mëson të sfidosh veten, të tejkalosh limitet dhe të ndërtosh qëndrueshmëri dhe forcë brenda vetes. Për dikë që vuan nga ankthi apo stresi, stërvitja vepron si një “shkarkues” natyral, duke ulur tensionin e brendshëm. Me kalimin e kohës, ndërsa individi forcohet fizikisht, fillon të ndërtojë edhe një vetëbesim të ri, sepse çdo ushtrim i përfunduar, çdo përparim, është një fitore personale. Gjithçka fillon me një hap të vogël, por efekti është i madh dhe i thellë.

Mendon se kultura shqiptare e nënvlerëson ndikimin që ka aktiviteti fizik tek mirëqenia emocionale?

Po, mendoj se në përgjithësi aktiviteti fizik shihet ende më shumë si një mjet për të rënë nga pesha apo për të ndryshuar pamjen, sesa si një mënyrë për të përmirësuar shëndetin mendor. Pak flitet për faktin që stërvitja çliron stresin, ndihmon me ankthin dhe rrit vetëbesimin. Kemi ende shumë punë për të ndërgjegjësuar shoqërinë që një trup i lëvizshëm është një mendje më e qetë.

A ke ndjerë ndonjëherë që njerëzit të gjykojnë më shumë për “pamjen” se sa për ndjesinë e mirë që të jep një trup i shëndetshëm?

Po, shpesh. Komentet që dëgjoj janë më shumë për forma trupore, sesa për progresin që dikush ka bërë në forcë, energji apo përmirësim të humorit. Shumë pak njerëz pyesin “si ndihesh?”, shumica thonë “si dukesh?”. Mua më intereson si ndihen vajzat që stërviten me mua, a janë më të forta, më të sigurta, më të gëzuara? Kjo është ajo që ka rëndësi. Por dhe rezultati gjithashtu, kush është ai që nuk do rezultat në trupin e tij.

Sipas teje, pse shumë gra shqiptare e shtyjnë kujdesin për veten në plan të dytë? Është mungesë kohe, mbështetje apo diçka tjetër?

Është një kombinim i shumë faktorëve. Shumë gra kanë ngarkesa të mëdha familjare dhe punojnë pa pushim për të tjerët, duke harruar veten. Mungesa e mbështetjes, gjykimi i shoqërisë kur një grua “merr kohë për vete”, dhe ndonjëherë ndjenja e fajit, i shtyjnë ato të mos i japin prioritet kujdesit për trupin dhe mendjen e tyre. Por e them gjithmonë: nëse nuk kujdesesh për veten, s’mund të jesh as mbështetje e shëndetshme për të tjerët.

Çfarë u thua zakonisht klientëve që hezitojnë të nisin stërvitjen sepse ndihen “të lodhur”, “të pasigurt” apo “pa motivim”?

U them gjithmonë: “Nisu, edhe kur nuk ke energji. Trupi yt do të të falënderojë.” Lodhja shpesh është mendore, jo fizike, dhe pasi e bëjnë këtë, e ndjejnë ndryshimin. Nuk ka nevojë të jesh gati, vetëm nis. Pjesa tjetër vjen vetë. Motivimi nuk vjen para veprimit, por si pasojë e tij.

Cili është mesazhi yt për të gjitha vajzat dhe gratë që po luftojnë me veten për të pasur një jetë më të balancuar?

Mos e prit momentin ideal, ai nuk vjen kurrë. Bëje për veten tënde, sepse e meriton të ndihesh mirë në trupin dhe mendjen tënde. Balanca nuk është perfektsion, është kujdes i përditshëm për veten. Dhe mbi të gjitha: ti je më e fortë sesa mendon.

Leave a comment