Nga: Merjeme Tota
Në Londër hapet organizata “Empowered Women of Diaspora” – Ensuida Keputa, zemra dhe frymëzimi i rrjetit për gratë shqiptare në diasporë
LONDËR — Një ditë historike për gratë shqiptare jashtë vendit u shënua sot në Londër, ku në zonën e Earls Court Road u inaugurua organizata “Empowered Women of Diaspora” (EWD). Kjo nismë e themeluar nga Ensuida Keputa synon të ndërtojë një rrjet mbështetjeje, mentorimi dhe bashkëpunimi, duke fuqizuar gratë shqiptare të diasporës për të arritur sukses profesional dhe pavarësi financiare.
Ensuida Keputa, një emër tashmë i njohur në komunitetin shqiptar në diasporë për energjinë, vizionin dhe angazhimin e saj të palodhur, është shtylla kryesore e këtij rrjeti të ri. Ajo u shpreh në fjalimin e hapjes se emigrimi nuk është vetëm një ndryshim vendi, por një sfidë komplekse emocionale, kulturore dhe ekonomike.
“Kjo organizatë është një hap i madh për të gjitha ne, që kërkojmë jo vetëm të mbijetojmë, por të rritemi, të ndërtojmë ura bashkëpunimi dhe të ndihmojmë njëra-tjetrën të arrijmë ëndrrat tona,” tha Keputa.
Në eventin ku morën pjesë dhjetëra gra nga fusha të ndryshme profesionale dhe kulturore, Ensuida Keputa solli mesazhin e fuqizimit kolektiv dhe solidaritetit. 
“Kur një grua ndriçon, ajo ndriçon familjen dhe komunitetin,” theksoi ajo, duke nënvizuar rëndësinë e mbështetjes së përbashkët në rrugëtimin e emigrimit.
 
															Mes të pranishmëve ishin gra të suksesshme si: Arta Qehaja, Dhurata Hoti, Alda Muskaj, Elmas Lushka, Valbona Voce, Dezjana Gace, Mirela Bela, Blerta Hoxha, Flanxi Asllani dhe Lindita Bushgjokaj, të cilat ndanë përvojat personale të sfidave dhe sukseseve në vendet ku jetojnë.
Në kujtim të Luljeta Nuzit, një grua që la gjurmë të pashlyeshme në komunitetin shqiptar të diasporës, themeluesja e organizates Ensuida Keputa i një mesazh të veçantë mirënjohjeje dhe respekti. Trashëgimia që ajo la pas mbetet një dritë frymëzimi për shumë gra të reja që sot ecin në gjurmët e saj.
“Edhe sot nuk mund të mos përmend një grua që la gjurmë të pashlyeshme në komunitetin tonë — të ndjerën Luljeta Nuzi. Trashëgimia e saj është dritë për të gjithë ne që po ecim në gjurmët e saj. Qoftë e Xhenetit!”, u shpreh themeluesja Ensuida Keputa në fjalën e saj, duke theksuar se puna dhe shembulli i grave si Luljeta janë themeli mbi të cilin EWD synon të ndërtojë një kulturë të re mbështetjeje dhe bashkëpunimi.
“Empowered Women of Diaspora” synon të organizojë aktivitete të vazhdueshme, trajnime praktike dhe sesione mentorimi, me qëllim që të kthehet në një pikë referimi dhe mbështetjeje për gratë shqiptare që duan të ndërtojnë një të ardhme të qëndrueshme dhe të suksesshme jashtë atdheut.
Me këtë hap të parë, themeluesja Ensuida Keputa dhe ekipi i EWD hapin një faqe të re për komunitetin shqiptar të diasporës, duke dëshmuar se fuqia dhe zëri i gruas shqiptare nuk kanë kufij.
 
								