Nga: Merjeme Tota
Nga auditorët e Fakultetit Ekonomik në Tiranë deri në rrugët dinamike të Londrës, rrugëtimi i saj është një histori guximi, besimi dhe sipërmarrjeje. Një vajzë shqiptare që dikur studionte financë, sot po ndërton hap pas hapi markën e saj të hijabeve në një nga qytetet më të mëdha dhe më konkurruese në botë. Me pasion për modën modeste dhe me një lidhje të fortë me besimin e saj, ajo krijoi Pearl Hijab London, një markë që synon të ofrojë cilësi, elegancë dhe komoditet për vajzat që zgjedhin të mbajnë shami. Në këtë intervistë ajo rrëfen rrugëtimin e saj nga ideja e parë deri tek porositë që tashmë vijnë nga vende të ndryshme të Evropës, sfidat e një biznesi të ri dhe mesazhin që dëshiron t’u përcjellë vajzave që duan të ndjekin ëndrrat e tyre.
Marsilda ke studiuar Financë në Fakultetin Ekonomik në Shqipëri. Si të ka ndihmuar ky formim akademik në ndërtimin dhe menaxhimin e biznesit tënd në Londër?
Studimet në Fakultetin Ekonomik të Tiranës më kanë ndihmuar goxha duke qënë se më kanë mundësuar një formim shumë të akademik, specifikisht në menaxhimin e biznesit, pasi kjo është dhe dega për të cilen kam studiuar. Ky formim më ka ndihmuar në menaxhimin financiar, planifikimin strategjik dhe analizen e tregut. Duke pasur këtë background mendova se do e kisha më të lehtë rrugëtimin në hapjen e biznesit tim të parë.
Kur lindi për herë të parë ideja për të krijuar markën tënde të hijabeve? Ishte një moment frymëzimi i vetëm apo një proces i gjatë dëshire dhe reflektimi personal?
Pearl Hijab London lindi si ide pas ardhjes time në Londer dhe duke qënë se unë i përkas besimit islam, po mendoja të krijoja dicka që mund të më mundësonte të punoja në një punë fleksibël por dhe të ishte dicka që dhe vetë i perkisja dhe do e bëja me shumë dëshirë.
Cilat ishin sfidat më të mëdha në fillimet e biznesit: ana financiare, gjetja e produkteve me cilësi të lartë, apo guximi për të prezantuar veten si sipërmarrëse dhe vajzë me shami në treg?
Si cdo fillim i ri dhe krijimi i këtij biznesi ka pasur sfidat e veta, që nga gjetja e emrit dhe deri tek produktet. Por sfida më e madhe ka qënë gjetja e produkteve cilësore që të jenë komode për përditshmëri por dhe të kenë një kosto jo shumë të lartë që të jenë të përballueshme nga të gjitha vajzat. Më është dashur të vizitoj shumë furnitor për të arritur tek zgjedhja e këtyre produkteve. Gjithashtu dhe krijimi i website-it ka qënë një sfidë që më ka marrë goxha kohë pasi gjithcka e kam krijuar vetë me ndihmën e bashkëshortit dhe ishte dicka e re për ne dizenjimi i nje website pasi donim që të ishte i lehtë dhe i bukur për tu parë dhe përdorur nga të gjithë.
Si e ke përjetuar të qenët vajzë me shami në Londër, si në jetën e përditshme ashtu edhe në botën e biznesit dhe sipërmarrjes?
Në fakt kur unë kam ardhur në Londer kam qënë akoma një vajzë pa shami ndonëse isha praktikante e fesë. Këtu mora guximin pasi hapa biznesin që dhe të vendos shaminë si një dëshirë shumë e madhe prej vitesh të cilën s’kisha mundur ta realizoj. Unë mendoj se Londra të krijon një komoditet shumë të madh në përjetimin e vendosjes së shamisë dhe mbartjes së saj si në përditshmëri ashtu dhe në biznes, pasi këtu përgjithësisht mendoj se njerëzit janë shumë pranues ndaj zgjedhjeve të secilit dhe mbi të gjitha këtu vajzat me shami i shikon kudo gjatë gjithë dites dhe me sa unë kam lexuar jane të shumta vajzat që mbartin shami në londer, rreth 40% e vajzave dhe grave, kështu që kjo ma ka lehtësuar dhe ma ka berë shumë normale vendosjen e saj dhe mbi të gjitha plotesimin e dëshires që unë kam patur prej vitesh.
Si funksionon aktualisht shpërndarja e produkteve? Nga cilat vende mund të porosisin klientet (Londër, MB, Shqipëri, Evropë)?
Aktualisht produktet mund të shpërndahen kudo në Mbretërinë e Bashkuar, Europë, Shqipëri mjafton të vendosësh adresën e saktë dhe gjithashtu ka dhe një opsion që mund të ndryshosh dhe vlerën e cmimit të produkteve sipas vendit ku jeton në Euro, Paund apo Dollar.
Çfarë e bën Pearl Hijab London të veçantë dhe si ndryshon marka jote nga hijabët që gjenden zakonisht në treg?
Mendoj se Pearl Hijab London e bën të vecantë kujdesi që ne bëjmë për cdo klient dhe cdo porosi duke mos lenë pa përmendur dhe cilësinë e produkteve që jemi munduar të bëjmë diferencën në treg por normal gjithmonë ka vend për përmirësime dhe ne jemi duke u munduar akoma më shumë që të shtojmë larmishmërinë e produkteve dhe detaje të ndryshme.
Cilat janë materialet e tua të preferuara si premium jersey apo chiffon? Pse i rekomandon këto për përdorim të përditshëm?
Të them të drejtën të gjitha produktet jam munduar ti zgjedh me shumë kujdes dhe si përdoruese që jam dhe vetë tashmë, them me plot bindje që janë materiale të plota dhe me një cmim shumë të arsyeshëm dhe shumë praktik për në përditshmëri duke ofruar disa lloje jersey apo chiffon apo dhe materiale të tjera që të përshtaten me deshirat e klienteve pasi ka vajza që duan një jersey më të plotë ka nga ato që i duan më breathable apo ngjyra nga me të ndryshmet ndaj jam munduar të kem variatet që gjithsecila të gjejë veten dhe të mbetet e kënaqur.
A ke pasur mesazhe apo porosi nga vajza shqiptare në diasporë që e kanë gjetur veten në stilin dhe estetikën e markës tënde?
Mendoj se duke qënë se operoj si nje biznes anglez nuk jam e njohur nga komuniteti i vajzave shqipëtare dhe andaj pas perhapjes në Londër tashmë dua të folusohem dhe tek vajzat shqipëtare në Shqipëri apo dhe në diaspore.
Çfarë ndjesie të jep kur sheh që një vajzë në një vend tjetër të Evropës vesh hijabin me logon e markës tënde?
Të them të drejtën kemi pasur dhe porosi nga vendet e Europës si Gjermania apo dhe shtete të tjera dhe ndihem shumë e lumtur që po perhapemi gjithandej nga pak dhe ndihem akoma më e lumtur kur marr mesazhe në inbox nga klientet që kanë mbetur shumë të kënaqura nga blerja dhe mendoj se kjo është ajo që kam dashur të arri, vajza të kënaqura të cilat kthehen në blerëse te rregullta dhe nje mike, moter në besim gjithashtu.
Si të udhëheq besimi në vendimet që merr në biznes, si në komunikimin me klientët ashtu edhe në zgjedhjen e produkteve?
Besimi që unë përkas është normalisht udhëheqësi kryesor në këtë rrugëtim që kam zgjedhur pasi unë këtë biznes nuk e kam hapur thjesht si një mënyrë fitimi por dhe si një amanet dhe shërbim ndaj komunitetit që përkas. Gjithashtu duke qënë se jam vetë përdoruse e këtyre produkteve e kam më të lehtë zgjedhjen e produktit dhe se cfarë është më e mirë dhe komode për ne.
Cilat kanë qenë tri sfidat më të mëdha si sipërmarrëse e re, grua dhe myslimane në Londër?
Sic e thash dhe më parë që si cdo gjë e re ka sfidat e saj dhe Elhamdulilah kto sfida na bëjn më të mirë dhe më të fortë. Mendoj se sfida më e madhe ka që trafiku i njerëzve për të na njohur si biznes, pasi është e vështirë që të hysh në një treg të një vendi të madh ku ka shumë biznese te ngjashme të mëdha të konsoliduara tashmë, por kjo na ka bërë të punojmë më shumë për tu bërë pjesë e këtij tregu.
Cila është “fitorja e vogël” që e mban gjithmonë në zemër – një mesazh frymëzues, një porosi nga një vend i ri, apo një moment i veçantë me klientet?
Mendoj se “fitorja e vogel” që do ta mbaj gjithmonë në zemer ka qënë porosia e parë dhe feedback-u që mora nga vajza që kishte bërë porosinë pasi ndihesh shumë e lumtur që përpjekja për muaj tërë ja ka vlejtur dhe tashmë po filloja të shisja dhe mbi të gjitha më kryesorja klientja ishte shumë e kënaqur me porosinë. Mendoj se kjo do mbetet gjithmonë në zemër si nje “fitore e vogel” por dhe shumë e madhe në të njejtën kohë.
Çfarë do t’u thoje vajzave që kanë frikë se shamia mund t’i kufizojë në karrierë apo në sipërmarrje?
Për vajzat që mendojnë se shamia mund ti kufizojë në jetën e tyre dua t’ju them se përkundrazi kufizimit shamia është një burim force, indentiteti dhe vetëbesimi. Kufizimi nuk vjen nga mënyra se si vishemi por se si e shohim veten dhe sa besojmë në potencialin tonë. Shamia nuk të ndalon të studiosh apo të krijosh karrierë përkundrazi sic e dimë feja e inkurajon studimin dhe në shembujt fetar që ne ndjekim ka pasur femra si Hatixhja r.a. që ka qënë biznesmenja më e fuqishme dhe më e madhe në kohën e profetit Muhamed a.s. Kështu që unë do i inkurajoja që të jenë të lira në zgjedhjet e tyre dhe të mos friksohen se “Kush lë diçka për hir të Allahut, Allahu do ta zëvendësojë me diçka më të mirë.” dhe se cdo sakrific që bëhet me sinqeritet nuk humbet kurrë tek Allahu.
Nëse do të flisje drejtpërdrejt me çdo vajzë që po e lexon këtë intervistë, cili do të ishte mesazhi yt më i sinqertë?
Mesazhi që unë kam për të gjitha vajzat është që të besojnë shumë në vetvete, të punojnë shumë dhe mos të harrojnë që rruga e hallallit është më e hajrit.
Si do të dëshiroje që vajzat të ndiheshin kur veshin një hijab nga Pearl Hijab London – më të sigurta, më të bukura, më të mbuluara me dinjitet dhe më pranë besimit të tyre?
Kur vajzat marin porosi tek ne unë mundohem që gjithmonë t’iu vendos një shprehje që është “Hijab is like an oyster, you are the pearl”. Wearing it means you carry a Qur’anic verse with you – a reminder that your beauty is guarded by faith. Këtë e bëj që vajzat tona të ndihen më të bukura, më me dinjitet dhe për t’iu rikujtuar se janë gjithmonë të mbrojtura. Gjithashtu poshtë shkruaj “We hope you love our products and fell as special as you truly are”. Pasi kryesorja tek ne është që të ndihen të vecanta dhe komforte në përditshmërinë e tyre.
Historia e saj është një kujtesë se ëndrrat nuk kanë kufij kur shoqërohen me punë, besim dhe vendosmëri. Nga porosia e parë që i mbeti në zemër, deri tek klientet nga vende të ndryshme të Evropës që sot mbajnë hijabët e markës së saj, çdo hap është një dëshmi se një ide e vogël mund të rritet në diçka domethënëse. Përmes Pearl Hijab London, ajo nuk po ndërton vetëm një biznes, por edhe një komunitet vajzash që duan të ndihen të bukura, të sigurta dhe krenare për identitetin e tyre. Mesazhi i saj për çdo vajzë është i thjeshtë: beso në veten tënde, puno fort dhe mos harro kurrë se rruga e ndershme dhe e sinqertë është gjithmonë ajo që të çon më larg.