narrativashqiptare.com

Kur inteligjenca takon guximin: Pse Liridona Beqiri është profili që i mungon shoqërisë sonë sot?

liridona beqiri foto 3

E zgjuar në argument, e shkathtë në reagim dhe e qartë në vizion, Liridona Beqiri përfaqëson profilin e një gruaje që nuk fshihet pas titujve, por i mbush ato me përmbajtje. Juriste me përvojë të gjatë në administratën shtetërore, aktiviste e palodhur për barazinë gjinore dhe zë i fortë në luftën kundër kancerit të gjirit, ajo ka arritur të ndërthurë profesionalizmin me ndjeshmërinë, strategjinë me guximin. Në këtë intervistë, Beqiri flet me vendosmëri për sfidat reale të grave, për boshllëqet institucionale dhe për nevojën që gratë të mos jenë më pjesë e dekorit, por faktor real në vendimmarrje.

Kush është Liridona Beqiri dhe si e përkufizoni ju vetveten – juriste, aktiviste, këshilltare politike, apo diçka tjetër?

Me formim jam juriste dhe prej më shumë se 17 vitesh punoj në administratën shtetërore në Shkup, përvojë që më ka dhënë durim profesional, rezistencë institucionale dhe një marrëdhënie të gjatë me ligjin. Jam aktiviste për barazinë gjinore dhe për ndërgjegjësimin ndaj kancerit të gjirit, sepse besoj se shoqëritë e drejta ndërtohen duke mbrojtur dinjitetin, shëndetin dhe zërin e grave. Paralelisht, kam nderin të jem këshilltare e jashtme politike, një përvojë që më ka forcuar bindjen se politika duhet të jetë vizion, përgjegjësi dhe shërbim publik. Sot, mbi të gjitha, e përkufizoj veten si një qytetare aktive që ka vendosur të mos qëndrojë më në periferi të vendimmarrjes. Angazhimi im i fundit në politikë buron nga bindja se ky është një moment alerti kombëtar, që kërkon unitet, maturi dhe përgjegjësi nga të gjithë shqiptarët. Pra, nëse do ta përmbledh me një fjali: jam një profesioniste e ligjit, një zë aktiv i shoqërisë civile dhe një grua që beson se ndryshimi vjen kur guxon të marrësh përgjegjësi.

Cila ka qenë pika e kthesës që ju bëri të fokusoheni kaq shumë tek barazia gjinore, shëndeti i grave dhe pjesëmarrja e tyre në vendimmarrje?

Ka qenë më shumë se një moment, por në thelb ka qenë përplasja mes realitetit dhe asaj që ne e quajmë “normale”. Si juriste dhe si pjesë e administratës për shumë vite, e kam parë nga afër se si gratë shpesh janë shumica në punë, por pakica në vendimmarrje; janë shtylla e familjes, por zëri i fundit në tryezë; dhe janë gjithmonë të forta… derisa shëndeti u kërkon llogari. Angazhimi im për shëndetin e grave, veçanërisht për ndërgjegjësimin ndaj kancerit të gjirit, erdhi nga përvoja reale – nga histori grash që i takon çdo ditë, që japin gjithçka për të tjerët dhe harrojnë veten, shpesh sepse shoqëria u ka imponuar. Ndërsa pjesëmarrja e grave në vendimmarrje u bë për mua një domosdoshmëri logjike: nëse gratë përbëjnë gjysmën e shoqërisë dhe sovranit, pse të mos jenë në tavplina “de jure”? Kam kuptuar se nuk mjafton t’i mbështesësh nga jashtë – duhet të jesh brenda, aty ku merren vendimet. Dhe po, ndonjëherë duhet të flasësh edhe pak më fort, sepse përvoja më ka mësuar se heshtja e grave shpesh keqinterpretohet si pajtim. Pika e kthesës për mua lidhet drejtpërdrejt me boshllëkun e madh mes realitetit të grave dhe politikave publike që pretendojnë t’i përfaqësojnë ato. Duke punuar prej vitesh brenda institucioneve, e kam kuptuar se shëndeti i gruas trajtohet ende më shumë si çështje private sesa si prioritet shtetëror. Politikat shëndetësore shpesh janë neutrale në letër, por jo të ndjeshme ndaj gjinisë në praktikë – dhe kjo realisht i përjashton gratë nga kujdesi i duhur, nga parandalimi, nga diagnostikimi i hershëm dhe nga mbështetja sistemike. Në të njëjtën kohë, mungesa e grave në jetën publike nuk është rastësi, por pasojë e një kulture që i sheh ato si mbështetëse të proceseve, jo si vendimmarrëse. Gratë janë shumë aktive në terren, në komunitet, në shoqëri civile, por pothuajse inekzistente në tryezat ku merren vendimet reale. Edhe kur janë formalisht të pranishme, pjesëmarrja e tyre shpesh mbetet kartë elektorale, një karrige e mbushur për statistikë, jo për ndikim.

Keni treguar se beteja me kancerin e gjirit për ju është shumë personale, sepse keni humbur nënën nga kjo sëmundje. Si e ka formësuar ky përjetim misionin tuaj?

Kancerin e gjirit e kam jetuar në qenien e nënës sime, e cila e humbi betejën me këtë sëmundje. Humbja e nënës sime nga kanceri i gjirit ka qenë përvoja më e dhimbshme e jetës sime, por edhe momenti që i dha një drejtim të qartë misionit tim publik. Kur e përjeton këtë sëmundje nga brenda familjes, e kupton se nuk bëhet fjalë vetëm për diagnozë dhe trajtim, por për kohë, qasje, informacion dhe mbështetje – ose mungesën e tyre. Kjo përvojë ma ka bërë të qartë, në mënyrën më të dhimbshme, se sa vendimtare janë politikat e parandalimit, diagnostikimi i hershëm dhe mbështetja institucionale për gratë dhe familjet e tyre. Ky përjetim më ka bërë të mos e shoh më shëndetin e gruas si temë emocionale, por si përgjegjësi shtetërore. Më ka mësuar se çdo vonesë institucionale, çdo politikë e paplotë dhe çdo heshtje publike kanë kosto reale njerëzore. Pikërisht për këtë arsye, angazhimi im sot fokusohet tek parandalimi, skriningu i rregullt, edukimi shëndetësor dhe garantimi i politikave që nuk i lënë gratë vetëm në momentet më të vështira. Në një mënyrë shumë personale, angazhimi im është përpjekja për ta kthyer një humbje të madhe në një zë të fortë publik, që kërkon politika më njerëzore, më të drejta dhe më të ndjeshme ndaj jetës reale të grave.

A mund të na tregoni pak për punën e organizatës “Ezra” dhe çfarë roli luan ajo në luftën kundër kancerit të gjirit?

“Ezra” është një organizatë joqeveritare që punon për përmirësimin e kujdesit shëndetësor dhe mbështetjes për personat që përballen me kancerin, përfshirë kancerin e gjirit. Ajo operon jo vetëm në nivel lokal, por bashkëpunon edhe me organizata dhe partnerë ndërkombëtarë për të sjellë standarde më të larta shëndetësore në rajon. Organizata zhvillon fushata dhe evente për të sensibilizuar publikun mbi rëndësinë e zbulimit të hershëm të kancerit të gjirit dhe kujdesit shëndetësor. Një nga shërbimet konkrete që ofron “Ezra” është linja SOS 24/7, që ofron informacione, këshilla dhe mbështetje psikologjike për gratë që përballen me sëmundjen dhe familjet e tyre — një rrjet ndihme që është i hapur në çdo kohë për t’i ndihmuar njerëzit të mos ndihen vetëm. Organizata nuk punon vetëm në mbështetje individuale, por edhe në nivel sistemik: ajo adreson nevojën për programe të zbulimit të hershëm, akses më të mirë në shërbime diagnostikuese si mamografitë, dhe infrastrukturë shëndetësore që mundëson trajtim cilësor dhe në kohë. “Ezra” ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi dhe ka kontribuar në iniciativat e Forumit Ballkanik për Kancerin e Gjirit, duke bashkuar organizata nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe vende të tjera për një qasje të harmonizuar kundër kancerit – nga parandalimi deri te trajtimi. Në thelb, “Ezra” është jo vetëm një organizatë që informon, por një zë aktiv që sjell shpresë, mbështetje praktike dhe kërkon ndryshime reale në sistemin shëndetësor për gratë që përballen me këtë sëmundje – duke u fokusuar fuqimisht te zbulimi i hershëm, kujdesi gjithëpërfshirës dhe drejtësia shëndetësore.

Kohët e fundit përmendet se po shtohen rastet e kancerit të gjirit tek vajzat e reja, madje edhe në moshë 17‑vjeçare. Sipas jush, pse po ndodh kjo dhe çfarë po mungon në sistem?

Fatkeqësisht, kjo nuk është më thjesht një alarm mediatik, por një realitet që po e shohim gjithnjë e më shpesh. Shtimi i rasteve të kancerit të gjirit tek vajzat shumë të reja lidhet me një kombinim faktorësh: ndryshime hormonale, stil jete, stres kronik, ushqim i përpunuar, ndotje mjedisore, por edhe me një mungesë serioze të edukimit shëndetësor që nis herët. Ajo që po mungon më shumë në sistem është qasja parandaluese. Ne reagojmë kur sëmundja shfaqet, por shumë pak investojmë në edukim, në informim të vajzave që në moshë shkollore, në kontrolle të personalizuara sipas riskut dhe në një sistem shëndetësor që nuk e sheh kancerin e gjirit si “sëmundje të grave mbi 40 vjeç”. Ky stereotip është i rrezikshëm dhe sot po e paguajmë çmimin e tij. Po ashtu mungon një politikë e qartë e shëndetit publik e ndjeshme ndaj gjinisë dhe moshës. Vajzat e reja shpesh nuk merren seriozisht, simptomat minimizohen dhe mungon një protokoll i qartë për diagnostikim të hershëm tek moshat e reja. Mesazhi kryesor është se kanceri i gjirit nuk është më vetëm një sëmundje e moshës së tretë, dhe sistemi shëndetësor duhet urgjentisht të përshtatet me këtë realitet të ri – me fokus në parandalim, edukim dhe zbulim të hershëm.

Çfarë janë sfidat kryesore që hasin gratë kur përballen me sistemin shëndetësor: nga diagnostikimi, tek trajtimi, tek mbështetja psikologjike dhe sociale?

Sfida kryesore për gratë në sistemin shëndetësor janë strukturore, jo individuale. Diagnostikimi është faza ku sistemi shpesh dështon, jo për shkak të individit, por për shkak të mungesës së mekanizmave parandalues, nuk ka programe të vazhdueshme skriningu për gratë e reja, madje as për ato me rrezik të shtuar, vetëkontrolli dhe edukimi shëndetësor janë të pamjaftueshëm – shumë gra nuk e njohin trupin e tyre apo shenjat paralajmëruese, shumë qendra shëndetësore nuk ofrojnë teste apo vizita periodike falas, veçanërisht jashtë qyteteve të mëdha.Pa politika preventive dhe protokolle të qarta, simptomat shpesh injorohen deri sa sëmundja përparon. Në fazën e trajtimit, sfida kryesore është qasja e pabarabartë. Shumë gra nuk kanë akses të rregullt në shërbime cilësore, trajtime moderne apo specialistë, veçanërisht jashtë qendrave urbane. Për më tepër, protokollet mjekësore shpesh janë ndërtuar mbi modele mashkullore dhe nuk marrin parasysh specifikat biologjike dhe hormonale të gruas. Mbështetja psikologjike është një nga boshllëqet më të mëdha. Gratë pritet të jenë “të forta”, të kujdesen për familjen edhe kur janë vetë të sëmura. Shëndeti mendor shihet si luks, jo si pjesë integrale e trajtimit, dhe kjo rëndon drejtpërdrejt procesin e shërimit. Në planin social, gratë përballen me stigmë, izolim dhe barrë ekonomike. Sëmundja shpesh i penalizon në punë, në role familjare dhe në sigurinë financiare, pa mekanizma realë mbrojtës nga shteti.
Ju keni folur edhe për kushtet në spitale dhe pritjet e gjata për incizime. Si përkthehet kjo në jetën e një gruaje që dyshon se ka një problem dhe ka nevojë për ndihmë të menjëhershme?

Pritjet e gjata dhe kushtet e vështira në spitale nuk janë thjesht një shqetësim logjistik; ato ndikojnë direkt në jetën e një gruaje . Kur një grua ka frikë se mund të ketë një tumor apo ndonjë sëmundje serioze, çdo ditë vonesë është një rrezik i shtuar. Pritja për analiza, incizime apo vizita specialistike mund të zgjasë javë ose muaj, duke shtuar ankthin dhe pasigurinë. Ky stres nuk është vetëm emocional – ai ndikon edhe në vendimet për trajtim dhe shpesh e bën sëmundjen të përparojë, duke e bërë trajtimin më të komplikuar dhe më invaziv. Përveç kësaj, shumë gra përballen me barrën ekonomike dhe sociale të udhëtimit, lejeve të humbura në punë, apo pagesave private për shërbime që nuk ofrohen në kohë nga shteti. Kjo situatë tregon qartë se sistemi shëndetësor duhet të jetë më efikas, më i shpejtë dhe mbështetës, sepse vonesat nuk janë thjesht një pakënaqësi administrative – ato mund të vendosin fatin dhe shëndetin e grave.

Çfarë roli ka zbulimi i hershëm dhe vetë‑kontrolli? Çfarë mesazhi konkret keni për gratë dhe vajzat që ndoshta ende hezitojnë të kontrollohen?

Zbulimi i hershëm dhe vetë kontrolli janë armët më të fuqishme që ka një grua kundër sëmundjeve serioze si kanceri i gjirit. Sa më herët të kapet një problem, aq më thjeshtë dhe më efektiv mund të jetë trajtimi, dhe shpesh kjo mund të bëjë diferencën midis shërimit dhe komplikimeve serioze. Vetë kontrolli nuk është vetëm një akt personal; është një formë përgjegjësie ndaj vetes dhe shëndetit të familjes. Mesazhi im për gratë dhe vajzat është i qartë: mos prisni që të keni simptoma për t’u kontrolluar. Një vizitë rutinë, një kontroll i vogël apo një konsultë me mjekun nuk janë kurrë humbje kohe. Nëse dyshoni diçka, veproni menjëherë – frika apo hezitimi mund të sjellin vonesa që nuk mund të rikuperohen. Njihuni me trupin tuaj, mësoni shenjat paralajmëruese dhe kërkoni ndihmë. Kujdesi i hershëm është mbrojtja më e mirë që mund t’i bëni vetes.

Shpesh keni thënë që gratë nuk duhet të merren vetëm me “modë” dhe trende, por edhe me kauza thelbësore. Çfarë do t’u thoni vajzave të reja që ndihen larg aktivizmit dhe politikës?

Shumë shpesh gratë dhe vajzat ndiqim trendet, modën, imazhin që na imponon shoqëria. Nuk ka asgjë të keqe që të kujdesemi për veten, por nëse gjithë energjinë dhe kohën e përqendrojmë vetëm tek ajo që duket, harrojmë se fuqia jonë reale vjen nga veprimet që kanë kuptim. Do t’u thosha vajzave të reja se fuqia juaj nuk matet nga sa trendë ndiqni, por nga guximi për të folur për atë që ka rëndësi. Aktivizmi dhe politika nuk janë larg tyre, edhe pse mund të duken të komplikuara ose të largëta. Nuk ka nevojë të bësh zë të madh apo të jesh gjithmonë në qendër të vëmendjes; çdo hap, çdo ide dhe çdo veprim i vogël ka ndikim. Filloni duke njohur të drejtat tuaja, duke folur për atë që ju duket e padrejtë dhe duke ndërgjegjësuar të tjerët. Çdo përpjekje për të ndryshuar realitetin, sa e vogël qoftë, është një hap i madh drejt fuqizimit dhe barazisë. Sa më herët ta kuptoni këtë, aq më fuqishëm do të ecni përpara dhe aq më shumë do të ndikoni tek e ardhmja juaj dhe e të tjerëve.

Si e shihni sot solidaritetin mes grave? A jemi mjaftueshëm të lidhura, apo ka ende xhelozi, paragjykim dhe mungesë mbështetjeje “brenda llojit”?

Sot solidariteti mes grave është më i dukshëm se kurrë në disa fusha, por nuk mund të themi se është i plotë. Ka shembuj të jashtëzakonshëm mbështetjeje, mentorimi dhe bashkëpunimi, por ende përballemi me xhelozi, paragjykime dhe konkurrencë të panevojshme brenda “llojit”. Ky është një problem kulturor dhe struktural që ka rrënjë të thella: shpesh shoqëria na mëson të krahasohemi me njëra-tjetrën dhe të luftojmë për hapësirë në vend që të ndërtojmë rrjet mbështetjeje. Nëse gratë do të mësonin të lidhen më shumë mbi vlera të përbashkëta dhe të mbështesin njëra-tjetrën në mënyrë të qëndrueshme, fuqia jonë kolektive do të ishte shumë më e madhe – për familjet tona, komunitetin dhe shoqërinë në përgjithësi. Mbështetja e gruas për gruan nuk është vetëm instinkt; është edhe një atribut i mençurisë. Të njohësh vlerën e solidaritetit dhe të investosh tek fuqizimi i një gruaje tjetër nuk është vetëm gjest human, por një zgjedhje e zgjuar që fuqizon komunitetin, familjen dhe shoqërinë në tërësi. Duhet të dimë të maturojmë veten dhe të njohim momentin kur duhet të tërhiqemi, duke i lënë vend një gruaje tjetër. Ky nuk është vetëm respekt, por edhe zgjuarsi – është aftësia për të vendosur para çdo kompleksi apo egoje arsyen e shëndoshë dhe interesin e përbashkët.

Në mendimin tuaj, cilat janë tre kauzat më urgjente për gratë shqiptare në rajon: dhuna, shëndeti, ekonomia, përfaqësimi politik…?

Në mendimin tim, gratë shqiptare përballen sot me sfida të shumta, por tre kauzat më urgjente që kërkojnë vëmendje të menjëhershme janë siguria nga dhuna, qasja në shëndet cilësor dhe pavarësia ekonomike. Dhuna ndaj grave është një plagë që prek familjet, komunitetin dhe shoqërinë në tërësi, dhe lufta kundër saj kërkon ligje më të forta, mbrojtje të realë dhe ndërgjegjësim publik. Shëndeti, sidomos shëndeti i grave dhe vajzave, përfshirë diagnostikimin e hershëm dhe mbështetjen psikologjike, është një sfidë që shpesh injorohet, por që vendos fatin e jetëve dhe familjeve. Pavarësia ekonomike është themeli i barazisë; pa mundësi reale për të fituar, për të menaxhuar burime dhe për të marrë vendime, çdo përpjekje për fuqizim mbetet e kufizuar. Natyrisht, për të përmbushur këto kauza, nevojitet përfaqësim politik ku gratë kanë zërin dhe ndikimin e tyre të drejtë. Vetëm kur gratë marrin vendimet, vendosin prioritetet dhe ndërtojnë politikat, ato mund të sjellin ndryshime reale në jetën e tyre dhe të komunitetit. Sa më shumë gra të angazhohen në politikë, aq më shumë shoqëria fiton drejtësi, barazi dhe mundësi reale për të gjithë.

A mendoni se partitë politike i përdorin gratë më shumë për imazh sesa për vendimmarrje reale? Çfarë duhet të ndryshojë konkretisht në partitë tona?

Statusi i grave në shoqëri është tregues kyç i qeverisjes së mirë dhe demokracisë, por ne si shoqëri dhe si shtet kemi dështuar, duke reflektuar një trend global të mosbesimit ndaj barazisë gjinore. Gratë në shoqërinë tonë përballen me dominimin absolut të mashkujve dhe me një mentalitet konservator që kufizon lirinë e tyre ideologjike, sociale dhe kreative. Pozicioni i gruas shqiptare është pothuajse margjinal në politikë; partitë pothuajse nuk adresojnë problemet që ato përballen dhe shum shpesh I përdorin ato si karta elektorale. Vonesa e grave në politikë, korrupsioni i udhëhequr nga meshkujt dhe mungesa e mbështetjes së grave për njëra-tjetrën e vendosin gruan në vend të dytë. Kuotat e aplikura deri tani kanë sjellë pjesëmarrje minimale, por nuk kanë prodhuar gra në pozita vendimmarrëse, si kryetare komunash, sepse partitë hezitojnë t’u besojnë grave. Kuotat duhej të ishin një zgjidhje e përkohshme, derisa shoqëria dhe partitë të pranonin pjesëmarrjen e grave si diçka të natyrshme, duke pasur parasysh se ato përbëjnë 50% të popullatës. Ka një realitet të ri ku gratë nuk bëjnë më kompromise. Ato nuk pranojnë të jenë thjesht pjesë e fasadës, nuk pranojnë të jenë të dorëzuara ndaj mentaliteteve konservatore dhe nuk tolerojnë më kufizimet që u vendosen nga dominimi mashkullor. Sot, gratë kërkojnë zë, ndikim dhe vendimmarrje të barabartë – dhe çdo përpjekje për t’i përjashtuar ose nënvlerësuar thjesht nuk funksionon më. Ky realitet i ri kërkon që partitë, institucionet dhe shoqëria të përshtaten me një mënyrë të re të lojës: ku gratë janë pjesa më aktive.

Sa hapësirë reale ka, sipas jush, për t’i përkthyer çështjet që ngrini në politika konkrete brenda institucioneve?

Në praktikë, hapësira reale për t’i përkthyer çështjet që ne ngrijmë në politika konkrete brenda institucioneve është ende e kufizuar. Gratë shpesh prezantohen në lista ose pozita për të plotësuar kuota, por vendimet e vërteta, prioritetet dhe buxhetet vendosen kryesisht nga dominimi mashkullor. Pa ndikim të barabartë në vendimmarrje dhe pa mbështetje reale brenda partive dhe institucioneve, shumë ide dhe nevoja të grave mbeten në letër. Për të ndryshuar këtë, nuk mjafton pjesëmarrja formale; duhet që gratë të kenë pushtet të vërtetë për të vepruar dhe vendosur, dhe për këtë duhet transformim i qëndrueshëm kulturor dhe institucional. Në realitet, hapësirën për t’i përkthyer çështjet tona në politika konkrete shpesh nuk na e japin vetë – duhet ta rrëmbejmë vetë. Dhe natyra e meshkujve, edhe kur duket refuzues ose ngurron, në fund duhet të pajtohet me faktin se nuk ka më rrugë tjetër, kur gratë vendosin të jenë aktive dhe të kërkojnë ndikim real, çdo ide serioze do të gjejë rrugën e vet drejt vendimmarrjes.

Si mund të përdoren standardet dhe mekanizmat e Bashkimit Europian për të shtyrë qeveritë tona të investojnë më shumë në shëndet, veçanërisht në kancerin e gjirit?

Qeveritë që e quajnë veten pro-evropiane dhe vendosin integrimin në fokus duhet të tregojnë këtë jo vetëm në fjalë, por edhe në veprime. Një pjesë thelbësore e cilësive evropiane është ofrimi i shërbimeve shëndetësore me standarde europiane, ku qytetarët kanë qasje në diagnostikim të hershëm, trajtim cilësor dhe mbështetje psikologjike. Nuk mund të flasim për integrim evropian nëse gratë nuk mund të bëjnë kontrollin e kancerit të gjirit pa pritje mujore, ose nëse shërbimet nuk i ofrojnë të njëjtat të drejta dhe cilësi si në vendet e tjera të Bashkimit Europian. Integrimi duhet të reflektohet në jetën e përditshme të qytetarëve, dhe shëndeti është një nga testet më të qarta të seriozitetit të qeverive për t’u përputhur me vlerat europiane. Standardet dhe mekanizmat e Bashkimit Europian mund të përdoren si një mjet i fuqishëm për të shtyrë qeveritë tona të investojnë më shumë në shëndet, veçanërisht në fushën e kancerit të gjirit. Bashkimi Europian vendos kritere të qarta për cilësinë e shërbimeve shëndetësore, skriningun e hershëm dhe mbështetjen psikologjike për pacientet, dhe shtetet anëtare që nuk i respektojnë këto standarde rrezikojnë humbje fondesh apo kritika të drejtpërdrejta. EZRA është pjesë e rrjetit Europa Donna, një platformë e fuqishme europiane që mbron të drejtat e grave me kancer gjiri dhe promovon diagnostikimin e hershëm dhe trajtimin cilësor. Ky angazhim na mundëson të sjellim përvojën europiane dhe kërkesat konkrete për shërbime më të mira në vend, duke krijuar presion të ligjshëm dhe publik mbi qeveritë që investimi në shëndetin e grave nuk mund të injorohet.

Çfarë na mëson përvoja e vendeve të tjera europiane, që mund ta aplikojmë në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe rajon?

Përvoja e vendeve të tjera europiane na tregon se parandalimi dhe diagnostikimi i hershëm janë çelësi për të shpëtuar jetë, dhe kjo kërkon programe të qarta kombëtare, të financuara dhe të ndjekura rregullisht. Shëndeti i grave nuk mund të jetë një çështje dytësore; duhet të ketë qasje universale, analiza dhe kontrolle periodike, dhe mbështetje psikologjike të integruar. Vendet europiane kanë treguar gjithashtu se arsimimi dhe ndërgjegjësimi i grave për vetëkontrollin dhe shenjat paralajmëruese janë po aq të rëndësishëm sa vetë infrastruktura shëndetësore. Për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe rajonin, ky është mesazhi kryesor: duhet të ndërtojmë sisteme që funksionojnë, të mos lëmë asnjë grua të përballojë frikën e saj vetëm, dhe të përdorim standardet europiane si referencë të qartë për shëndet public, paralelisht duke edukuar masën mbi kulturën shëndetësore. Përvoja europiane nuk është vetëm shembull, por një udhërrëfyes praktik për të ndërtuar shërbime shëndetësore të denja për qytetaret tona.

Si është të jesh një grua e re, e zëshme dhe kritike në një shoqëri ku shpesh gratë etiketohen si “grifsha” apo “duan më shumë se sa u takon”? Si përjetohen këto etiketime?

Sot, më shumë se kurrë, nuk është çështje mode të jesh grua mendjehapur, aktive, e zëshme dhe e përfshirë. Është domosdoshmëri. Dhe të jesh e tillë në një sistem që nuk e pret, është një akt i heshtur rebelimi me shumë klas. Të jesh një grua e re, e zëshme dhe kritike në një shoqëri ku gratë shpesh etiketohen, është praktikisht një sport ekstrem. Pak ironikisht, duket se kur një grua merr hapësirë për të folur dhe për të menduar vetë, disa e konsiderojnë “shkelje e rregullave të natyrës”. Por e vërteta është se kritika, guximi dhe zëri i një gruaje nuk janë më shumë sesa të drejta themelore, dhe këto etiketime janë thjesht një mënyrë për të ndjerë pak kontroll mbi dikë që nuk pranon të heshtë. Në fakt, shpesh më shumë se pengesë, etiketime të tilla bëhen një tregues se po e bëjmë punën tonë mirë: po i nxjerrim të fshehtat e mentaliteteve të vjetra dhe po i detyrojmë të gjithë të mendojnë pak më shumë. Pra, kur ju quajnë “grifsha”, thjesht dini se zëri juaj po tingëllon dhe po lë gjurmë. Çdo grua që ngrihet kundër padrejtësisë është një revolucion i vogël që ndikon në botën tonë. Në fund, të jesh grua, është të jesh e palëkundur, jo vetëm mbijetuar, por fitimtare në një lojë ku rregullat janë shkruar për t’u thyer. Dhe kjo, më shumë se çdo fjalë tjetër, është epika më e madhe që një grua në Maqedoni mund të jetojë.

Cili është mesazhi juaj për vajzat 16–25 vjeç që ndoshta po na ndjekin: si mund të fillojnë nga shumë pak, por të bëhen pjesë e ndryshimit?

Mos prisni që dikush t’ju japë lejen për të qenë pjesë e ndryshimit; krijoni vetë hapësirën tuaj, guxoni të ndërveproni dhe të kërkoni të drejtën tuaj. Sa më shumë të flisni, të veproni dhe të mbështesni njëra-tjetrën, aq më shumë do të ndihmoni të ndërtohet një shoqëri ku zëri juaj dhe i grave të tjera nuk mund të injorohet. Çdo veprim, madje edhe i vogël, është një hap drejt një të ardhmeje më të barabartë dhe më të fuqishme. Vajzat janë mbajtëse të podiumeve më të rëndësishme që mbajnë shoqërinë dhe të ardhmen tonë të integruar dhe të drejtë. Andaj qasuni me intelekt, mos pranoni kompromis për të drejtat tuaja, dhe punoni fort për t’i bërë zërat dhe kërkesat tuaja të dëgjueshme sepse fuqia juaj nuk është vetëm personale, ajo është pjese e historisë që po shkruani.

Rrëfimi i saj nuk është thjesht një intervistë, por një manifest i një gruaje që di çfarë kërkon dhe nuk pranon më gjysmë-hapësira. Liridona Beqiri dëshmon se aftësia nuk matet me zhurmë, por me qëndrueshmëri; se forca nuk është arrogancë, por qartësi; dhe se ndryshimi nuk vjen nga pritja, por nga veprimi. Në një realitet që shpesh përpiqet t’i mbajë gratë në hije, ajo zgjedh të qëndrojë në dritë, jo për vete, por për të hapur rrugë për shumë të tjera.

Nga: Merjeme Tota & Judita Perndrecaj

Leave a comment