narrativashqiptare.com

Intervistë Ekskluzive | ReRoot: Platforma e re që po lidh diasporën me profesionistë që flasin gjuhën e tyre

re root app

Nga: Merjeme Tota

Në kohën kur migrimi dhe jetesa në shtete të huaja po bëhen pjesë e realitetit të përditshëm, barrierat gjuhësore vazhdojnë të mbeten një sfidë serioze. Shumë njerëz hasin vështirësi për të komunikuar me profesionistë në fusha të rëndësishme si shëndetësia, ligji apo shërbimet praktike të përditshmërisë.

ReRoot është platforma më e re që synon të zgjidhë pikërisht këtë problem, duke lidhur përdoruesit me profesionistë që flasin gjuhën e tyre. Për të kuptuar më shumë rreth idesë, vizionit dhe mënyrës së funksionimit, biseduam me themeluesen e ReRoot, Dhimitra Poci e cila ka ndarë në këtë intervistë të plotë rrugëtimin, sfidat dhe planet e projektit.

INTERVISTA E PLOTE:

Për njerëzit që dëgjojnë për herë të parë për ReRoot: si do ta përkufizonit aplikacionin dhe misionin e tij në një fjali?

ReRoot është një platformë që lidh njerëzit me profesionistë që flasin gjuhën e tyre, duke e bërë komunikimin të qartë, të sigurt dhe të aksesueshëm në çdo fushë të shërbimeve profesionale.

Cili ishte momenti personal ose profesional që ju dha idenë?

Ideja lindi nga vëzhgimi i situatave të përditshme ku gjuha shfaqej si një pengesë reale në marrjen e shërbimeve. Momenti më domethënës ishte gjatë një vizite mjekësore, kur pashë tre pacientë të shoqëruar nga familjarët vetëm sepse nuk mund të komunikonin vetë. Kjo më bëri të reflektoj mbi vështirësinë, frustrimin dhe varësinë që krijon mungesa e komunikimit të lirshëm. Aty kuptova se shumë njerëz ndihen të humbur jo për mungesë shërbimesh, por sepse nuk gjejnë profesionistë që flasin gjuhën e tyre.

Çfarë boshllëku konkret patë në treg?

Edhe pse ekzistojnë shumë grupe komunitare në rrjete sociale dhe në shtete të ndryshme, njerëzit përsëri mbështeteshin tek rekomandimet për të gjetur profesionistë që flasin gjuhën e tyre. Mungonte një platformë e strukturuar, e sigurt dhe e dedikuar që t’i centralizonte këto kërkesa dhe t’i lidhte përdoruesit me profesionistë shumëgjuhësh. Kjo boshllëk krijonte vështirësi veçanërisht në fushat kritike — shëndetësi, ligj, real estate — ku komunikimi i saktë është thelbësor.

Cilat grupe kishit në mendje fillimisht dhe si është zgjeruar publiku sot?

Ne jemi ende në hapat e parë dhe po bashkëpunojmë me komunitetet shqiptare në diasporë. Fokuset tona të para janë fushat ligjore dhe shëndetësore, sepse aty komunikimi i qartë është kritik. Megjithatë, çdo fushë dhe çdo profesionist është i mirëpritur të bashkohet — sepse nevoja për komunikim në gjuhën amtare i prek të gjithë.

Si funksionon ReRoot praktikisht?

Ti mund të regjistrohesh si përdorues ose ofrues shërbimi. Plotëson të dhënat bazë për profilin dhe aplikacioni është gati për përdorim.

Për përdoruesit, kërkimi është i thjeshtë dhe shumë intuitiv:
​•​zgjedh gjuhën (p.sh., shqip),
​•​vendos profesionin (avokat, dentist, fotograf, etj.),
​•​zgjedh zonën e kërkimit.

Platforma të shfaq menjëherë profesionistë që i plotësojnë këto filtra. Procesi është i qartë, i lehtë dhe i ndërtuar që njerëzit të gjejnë shërbimin e duhur pa stres dhe pa keqkuptime.

Çfarë standardesh dhe kriteresh përdorni për verifikimin e profesionistëve?

Procesi ynë i verifikimit përfshin konfirmimin e adresës së emailit, kontrollin e identitetit dhe shqyrtimin e të dhënave profesionale të deklaruara në profil. Ne vlerësojmë saktësinë e informacionit, gjuhët e folura dhe transparencën e çdo ofruesi shërbimi për t’u siguruar që plotësojnë standardet tona të besueshmërisë. Qëllimi është që përdoruesit të lidhen vetëm me profesionistë të kualifikuar, të verifikuar dhe të besueshëm.

Pse është kaq e rëndësishme të gjesh dikë që flet gjuhën tënde?

Në fusha si shëndeti mendor, ligji, mjekësia dhe real estate, komunikimi është vendimtar. Një keqkuptim i vogël mund të shkaktojë pasoja serioze. Gjuha krijon siguri emocionale, qartësi dhe besim. Kur gjen një profesionist që flet gjuhën tënde, ndihesh i kuptuar dhe i mbështetur pa pasur frikë se po humb detaje të rëndësishme.

Cila është qasja juaj për ndërtimin e komunitetit të profesionistëve?

Ne i ftojmë profesionistët duke u theksuar rëndësinë e aftësive të tyre gjuhësore. ReRoot u jep atyre dukshmëri, mundësi për të ndërtuar reputacion profesional dhe akses tek klientët që i kërkojnë pikërisht ata. Early adopters kanë përfitime ekstra, si ekspozim më të madh dhe vendosje më të dukshme në platformë.

Çfarë nuk funksionon në networking-un klasik dhe si e ndryshon ReRoot këtë?

Networking tradicional është i rastësishëm dhe shpesh nuk e kap dimensionin e gjuhës. ReRoot e ndryshon këtë duke e bërë lidhjen midis njerëzve të qëllimshme, të filtruar dhe të bazuar te komunikimi — elementi më njerëzor i një marrëdhënie profesionale.

Sfida teknologjike dhe etike?

Sfida më e madhe ka qenë kuptimi se çdo fushë kërkon trajtim të ndryshëm. Një psikolog, një avokat dhe një fotograf kanë nevoja të ndryshme, mënyra komunikimi të ndryshme dhe pritshmëri të ndryshme. Për këtë arsye, kemi takime të vazhdueshme me ofrues shërbimesh nga fusha të ndryshme për të kuptuar më thellë nevojat e tyre. Këto takime do të na udhëheqin në përmirësimet e ardhshme, duke e bërë platformën edhe më të personalizuar, më të sigurt dhe më të dobishme për të gjithë.

Roli i diasporës shqiptare?

Diaspora shqiptare ka një rol të rëndësishëm në vizionin e ReRoot. Gjuha shqipe është një nga shtyllat e para të platformës. ReRoot synon të bëhet ura që i lidh profesionistët shqiptarë me komunitetet që kërkojnë shërbime në gjuhën e tyre.

Cilat metrika tregojnë që po shkoni në drejtimin e duhur?

Ne jemi ende në fazën e hershme, por disa sinjale na tregojnë që po ecim drejt: komunitetet po tregojnë interes që në fazën e parë të idesë, profesionistët po regjistrohen para se platforma të jetë plotësisht gati dhe njerëzit na shkruajnë vazhdimisht me sugjerime dhe kërkesa specifike për fusha të ndryshme.

Për ne, kjo është metrika më e rëndësishme në këtë fazë: interesi organik. Ne punojmë mbi atë që dëgjojmë — mbledhim feedback-un, e analizojmë dhe e kthejmë në përmirësime.

Tre prioritetet kryesore për vitin e ardhshëm
​•​Zgjerimi në komunitete të reja diasporash
​•​Shtimi i funksioneve të reja që mbështesin komunikimin e sigurt dhe të personalizuar
​•​Ndërtimi i partneriteteve me institucione dhe rrjete profesionistësh

Mësimi më i fortë nga sipërmarrja?

Që sfida më e madhe nuk është teknike, por emocionale. Duhet durim, konsistencë dhe gatishmëri për të mësuar nga çdo hap. Çdo ditë sjell diçka të re, dhe e vërteta është që suksesi vjen duke shijuar procesin dhe duke dëgjuar njerëzit për të cilët e ndërtove platformën.

Tre këshilla për një të ri nga një vend i vogël që do të krijojë një aplikacion global
​•​Ndërto idenë e parë shumë të thjeshtë, funksionale dhe të qartë — dhe nis nga aty.
​•​Ji i vëmendshëm dhe vëzhgues i mirë i sjelljes njerëzore.
​•​Ji konsistent. Qëllimi nuk është suksesi i menjëhershëm, por mësimi gjatë rrugës.

Mesazhi i mbylljes?

ReRoot u krijua për t’i ndihmuar njerëzit të gjejnë profesionistë që flasin gjuhën e tyre, kudo që ndodhen. Kur komunikimi është i qartë, çdo vend bëhet më i lehtë për t’u naviguar dhe më i afërt. Qëllimi ynë është të heqim barrierat gjuhësore dhe t’i japim secilit përdorues ndjesinë e sigurisë dhe familjaritetit duke i lidhur me profesionistë që i kuptojnë.

Si mund të regjistrohen profesionistët dhe si e testojnë përdoruesit aplikacionin?

Profesionistët mund të regjistrohen duke krijuar profilin e tyre në platformë dhe duke listuar gjuhët që flasin.
Përdoruesit mund ta testojnë menjëherë duke kërkuar profesionistë sipas gjuhës dhe fushës së tyre — është e lehtë, e thjeshtë dhe intuitive.

ReRoot nuk është thjesht një aplikacion, është një hap drejt një bote ku askush nuk ndihet i humbur për shkak të gjuhës. Me vizionin për të ndërtuar ura mes diasporës dhe profesionistëve që e kuptojnë njeriun para profesionit, platforma synon të krijojë një ndryshim të qëndrueshëm në mënyrën se si njerëzit marrin shërbime kudo që jetojnë. Dhe nëse ky është vetëm fillimi, rruga para duket edhe më premtuese.

Leave a comment