 
		Nga: Merjeme Tota
Rritja e rasteve të vetëvrasjeve në Shqipëri ka vënë në alarm ekspertët e shëndetit mendor dhe opinionin publik. Psikologia shqiptare që ushtron profesionin në Londër, Enertila Bekteshi, e konsideron këtë jo thjesht një dramë individuale, por një krizë të thellë shoqërore që kërkon zgjidhje konkrete.
“Ky trend është jashtëzakonisht shqetësues,” tha ajo për Narrativën Shqiptare. “Më dhemb si profesioniste, por edhe si shqiptare, të shoh që kaq shumë njerëz ndihen të pashpresë dhe pa dalje.”
Më shumë se një problem personal
Sipas saj, shkaqet janë të ndërlidhura midis sfidave individuale dhe faktorëve të gjerë socialë.
“Ka individë që përballen me depresion, trauma të pashëruara apo ankth, por kur mungon mbështetja sociale, gjithçka bëhet më e rëndë. Papunësia, varfëria, izolimi dhe mungesa e besimit tek institucionet i lënë njerëzit të vetmuar,” shpjegon ajo.
Tabu dhe mungesë mbështetjeje
Psikologia, e cila trajton edhe komunitetin shqiptar në diasporë, thekson se hendeku më i madh mes Shqipërisë dhe Britanisë është ndërgjegjësimi dhe qasja ndaj shëndetit mendor.
“Në Angli ekziston një rrjet i strukturuar për ndihmë, shërbime falas, programe parandaluese dhe qasje emergjente. Ndërsa në Shqipëri, shëndeti mendor shpesh shihet ende si tabu,” thotë ajo. “Njerëzit i druhen të kërkuarit ndihmë sepse stigmatizohen.”
Roli i edukimit emocional
Një tjetër faktor thelbësor është mungesa e edukimit emocional që nis që në fëmijëri.
“Fëmijët shqiptarë nuk mësohen si t’i kuptojnë ose t’i shprehin emocionet e tyre. Shumë familje i minimizojnë ose i injorojnë ndjenjat,” shton ajo. “Pa këtë themel, ata rriten të paaftë për të përballuar stresin apo krizat.”
Si funksionon parandalimi në Angli?
Në përvojën e saj në Londër, parandalimi i vetëvrasjeve lidhet ngushtë me shërbime të aksesueshme dhe struktura të qarta të mbështetjes.
“Ka linja emergjente, ekipe të specializuara për raste krizash, psikologë në shkolla dhe programe për të nxitur fëmijët të flasin hapur,” shpjegon ajo. “Një pjesë e këtyre praktikave mund të përshtaten edhe në Shqipëri.”
Stigma, një pengesë kulturore
Stigma ndaj problemeve të shëndetit mendor mbetet një sfidë e madhe, veçanërisht në Shqipëri.
“Shpesh, dikush që ka probleme mendore etiketohet si ‘i çmendur’, çka krijon turp dhe frikë për të kërkuar ndihmë,” shprehet ajo. “Në diasporë ka më shumë hapje, por brezi i parë i emigrantëve shpesh mban me vete të njëjtat paragjykime.”
Sinjalet që shpesh injorohen
Ajo apelon që familjet të jenë më të vëmendshme ndaj ndryshimeve të papritura tek të afërmit.
“Izolimi, humbja e interesit për gjërat që i gëzonin, dhurimi i sendeve personale – këto janë sinjale alarmi që shpesh shpërfillen,” paralajmëron ajo.
Raportimi mediatik pa etikë
Psikologia kritikon edhe mënyrën se si shpesh raportohen rastet e vetëvrasjeve në mediat shqiptare.
“Raportimi pa ndjeshmëri mund të nxisë vetëvrasje imituese, sidomos tek personat vulnerabël. Detajet e mënyrës së vetëvrasjes nuk duhet të publikohen. Mungesa e etikës në raportim vetëm përhap trauma,” thekson ajo.
Një linjë emergjente: nevojë urgjente
E pyetur nëse Shqipëria ka nevojë për një linjë emergjente për shëndetin mendor, përgjigja e saj është e qartë:
“Po, nevoja është urgjente. Edhe nëse fillimisht njerëzit do hezitojnë ta përdorin, me kohë dhe sensibilizim, kjo mund të jetë një dritare shpëtimi për shumë jetë.”
Mesazhi për ata që ndihen të pashpresë
Në fund, ajo ka një thirrje të ndjerë për këdo që përballet me mendime vetëvrasëse në Shqipëri:
“Ti nuk je vetëm. Dhimbja jote nuk është një dështim personal, por një pasojë e shumë peshave që ke mbajtur për shumë kohë. Flisni me dikë që ju beson, shkruani një letër, kërkoni ndihmë. Shëndeti mendor nuk është turp – është pjesë e qenies njerëzore.”
Nëse keni mendime të tilla të gabuara, ju lutemi kërkoni ndihmë. Bisedoni me një mjek, psikolog, një person të besuar, të afërm ose kontaktoni linjat e ndihmës aty ku ndodheni.
 
								