narrativashqiptare.com

”Kërkimi i ndihmës nuk është dobësi”: psikologia që kaloi nga sportet luftarake te “shërimi i mendjes”.

2fe10909-a084-4e98-a18f-6d1e0a15d010

Gazetare: Merjeme Tota

Në një rrëfim të sinqertë dhe reflektues për Narrativa Shqiptare, psikologia klinike Kismete Sykaj ndan udhëtimin e saj të pazakontë që nis nga sportet konkurruese dhe përfundon në botën e psikologjisë klinike. Nga shahu, te Taekwondo dhe boksi, deri te studimet dhe praktika në psikologji, historia e saj është një kërkim i vazhdueshëm për të kuptuar forcën e mendjes dhe kufijtë e njeriut.
Në këtë intervistë, ajo flet për sfidat e sportistëve shqiptarë, boshllëqet në sistemin e shëndetit mendor në Shqipëri, stigmat që vazhdojnë të pengojnë njerëzit të kërkojnë ndihmë psikologjike dhe rolin që besimi shpirtëror mund të ketë në procesin e shërimit. Një bisedë që prek tema të ndjeshme dhe të rëndësishme për shoqërinë shqiptare sot.

Intervista e zhvilluar për Narrativa Shqiptare:

Kismete, keni një histori shumë interesante që nis që nga shahu, vazhdon me Takuwendo-n dhe më pas boksin. Çfarë ju ka shtyrë të eksploroni kaq shumë sporte të ndryshme dhe çfarë keni mësuar nga kjo eksperiencë?

Interesi im për sportet ka qenë gjithmonë një përpjekje për të kuptuar mundësitë dhe kufijtë e trupit dhe mendjes time. Shahu, Taekwondo dhe boksi kanë qenë mënyra për të testuar disiplinën, durimin dhe përballjen me sfida të ndryshme. Nga kjo përvojë sportive kam mësuar se forca fizike është po aq e rëndësishme sa forca mendore, dhe se çdo sport ka një filozofi të veçantë që kontribuon në zhvillimin personal. Kjo ka formuar një qasje të balancuar ndaj jetës dhe profesionit tim, tashmë.

Ju keni përvojë jashtë Shqipërisë dhe keni parë mundësitë që ofrohen për sportistët atje. Si e përshkruani diferencën mes mbështetjes që ekziston jashtë dhe sfidave që hasni në Shqipëri?

Jashtë Shqipërisë, sportistët përfitojnë nga mbështetje të strukturuara dhe mundësi që ndihmojnë zhvillimin e tyre profesional. Financimi, trajnimi dhe infrastruktura janë në nivel të lartë. Në Shqipëri, për fat të keq, ka një mungesë mjaft të dukshme të mbështetjes institucionale dhe kulturore për sportistët. Edhe pse pasionet ëndrrat janë të mëdha, shumë sportistë nuk kanë mundësi të përfitojnë nga trajnime profesionale dhe mbështetje psikologjike që është e domosdoshme për performancën e tyre optimale.

Jeni diplomuar Bachelor dhe Master në Psikologji Klinike në Universitetin e Shkodrës. Çfarë ju tërhoqi drejt psikologjisë klinike dhe çfarë e bën këtë fushë kaq të veçantë për ju?

Ajo që më tërhoqi në psikologjinë klinike ishte mundësia për të ndihmuar individët të përballen me sfidat emocionale dhe psikologjike që ndikonin në jetën e tyre të përditshme. Psikologjia klinike është një fushë që ofron mundësi për të kuptuar natyrën e kompleksitetit të njeriut dhe për të ndihmuar ata që vuajnë. Ajo synon përqëndrim në empati si dhe të kuptuarit e tjetrit, duke ofruar një hapësirë për zhvillim personal dhe shërim të brendshëm.

Nga përvoja juaj si psikologe klinike, cilat janë boshllëqet kryesore në sistemin e mbështetjes psikologjike në Shqipëri dhe çfarë ndryshimesh konkrete duhen ndërmarrë?

Një boshllëk i rëndësishëm në Shqipëri është mungesa e mbështetjes të strukturuar shtetërore për individët që përballen me probleme të shëndetit mendor. Kjo ka të bëjë me mungesën e mbështetjes nga vetë shteti, si dhe vështirësitë që individët hasin për të gjetur terapi të kualifikuar. Ndryshimet që duhen ndërmarrë përfshijnë investimin në trajnimin e profesionistëve të shëndetit mendor, krijimin e mundësive për akses të lehtë dhe të përballueshëm në terapi, dhe ndryshimin e perceptimeve kulturore mbi shëndetin mendor. Në këto terma, funksionon disi mirë vetëm shërbimi privat.

Çfarë pasojash afatgjata ka neglizhimi i shëndetit mendor në zhvillimin e individit?

Neglizhimi i shëndetit mendor sigurisht ka pasoja afatgjata, duke ndikuar në çdo aspekt të jetës së individit. Pa trajtim të duhur, individët mund të zhvillojnë shqetësime më të rënda që ndikojnë në marrëdhëniet personale, performancën profesionale dhe mirëqenien e përgjithshme. Kjo neglizhencë mund të çojë gjithashtu në rritjen e mundësisë për sëmundje të tjera fizike si pasojë e stresit të papërpunuar.

Në çfarë mënyre përvojat e hershme personale dhe marrëdhëniet familjare ndikojnë në zhvillimin e personalitetit dhe shëndetin mendor të individit?

Përvojat e hershme, sidomos ato të lidhura me marrëdhëniet familjare, formësojnë bazat për zhvillimin emocional dhe psikologjik të individit. Një fëmijë që rritet në një mjedis të mbështetur dhe të dashur ka më shumë mundësi për zhvillimin e një personaliteti të shëndetshëm. Ndërsa, fëmijët që përballen me abuzim, neglizhencë ose konflikte të vazhdueshme familjare mund të zhvillojnë probleme të shëndetit mendor që mund të shfaqen më vonë në jetë.

Në çfarë mase stigma sociale vazhdon të ndikojë në mënyrën se si perceptohet terapia psikologjike në Shqipëri?

Stigma sociale në Shqipëri është ende një pengesë e madhe për individët që kërkojnë ndihmë psikologjike. Shumë njerëz e shohin terapinë psikologjike si diçka për ata që kanë “dobësi”, dhe jo si një mundësi për të zhvilluar shëndetin mendor dhe emocional. Kjo stigma ka sigurisht ndikim negativ, duke shtyrë shumë individë të mos kërkojnë ndihmë deri në momentin kur problemet bëhen të rënda.

Sa e vështirë është për individin shqiptar të kërkojë ndihmë psikologjike dhe cilët faktorë ndikojnë më shumë në këtë hezitim?

Kërkesa për ndihmë psikologjike është akoma e vështirë për shumë individë në Shqipëri për shkak të frikës nga gjykimi social dhe nga ndjenja e turpit. Faktorë të tjerë përfshijnë mungesën e njohurive për shëndetin mendor, si dhe frikën se terapitë mund të jenë të shtrenjta ose të vështira për t’u gjetur të sakta. Ky hezitim është gjithashtu i lidhur me kultivimin e ideve të gabuara se individët që kërkojnë ndihmë janë të dobët ose të paaftë për të zgjidhur vetë problemet e tyre.

Çfarë ndodh me individin kur nuk ka gjuhë për të emërtuar emocionet e veta?

Kur individi nuk ka mundësi të emërtojë emocionet e veta, ai mund të përjetojë një pasiguri dhe konfuzion. Kjo mungesë e vetëdijes për emocionet mund të çojë në stres, ankth dhe depresion, pasi individi nuk mund të identifikojë burimin e shqetësimeve të tij dhe, si pasojë, nuk mund të zhvillojë strategji të shëndetshme për t’u përballur me to.

A mendoni se shumë problematika psikologjike në Shqipëri maskohen si “probleme karakteri” apo “dobësi personale”?

Po, shumë herë problematikat psikologjike në Shqipëri janë shpesh të maskuara si “probleme karakteriale” ose “dobësi personale”. Kjo ka të bëjë me perceptimin e gabuar të shëndetit mendor dhe mungesën e edukimit mbi rëndësinë e tij. Si rezultat, shumë individë që mund të përballen me çështje serioze psikologjike nuk kërkojnë ndihmë dhe përpiqen t’i fshehin këto shqetësime, duke i rritur pasojat në jetën e tyre.

Cili është mesazhi juaj për individët që ndihen të bllokuar emocionalisht, por ende hezitojnë të kërkojnë ndihmë profesionale?

Mesazhi im për ta është që të kenë kurajë të kërkojnë ndihmë. Terapia është një mundësi për të çliruar veten nga peshat emocionale dhe për të filluar një proces të shërimit real. Kërkimi i ndihmës është forcë, jo dobësi, dhe është një hap i parë shumë i rëndësishëm drejt një jete më të shëndetshme dhe më cilësore.

Çfarë mesazhi do t’u jepnit të rinjve që duan të ndjekin psikologjinë klinike apo profesionet e lidhura me shëndetin mendor në Shqipëri?

Do t’u thosha që të shohin këtë profesion si një mundësi për të ndihmuar dhe për të bërë një ndryshim të vërtetë në jetën e njerëzve. Psikologjia klinike është një fushë që kërkon pasion, përkushtim dhe empati. Duhet të jenë të gatshëm të investojnë kohë dhe përpjekje për të mësuar dhe për të zhvilluar aftësitë e nevojshme, por gjithashtu duhet të mbajnë mend se ndikimi që mund të kenë në jetën e të tjerëve është vërtetë i madh dhe i rëndësishëm.

Si ndikon besimi islam në mënyrën se si e kuptoni njeriun, vuajtjen dhe procesin e shërimit psikologjik?

Besimi islam ka ndikim në mënyrën se si e kuptoj njeriun dhe vuajtjen. Ai ofron një qasje kuptimore të ndihmës që mund të vijë nga lidhja shpirtërore me Zotin dhe se procesi i shërimit është gjithashtu një udhëtim shpirtëror. Kur individët kuptojnë që vuajtja është një pjesë e natyrshme e jetës, ata mund të gjejnë paqe dhe forcë brenda vetes për të përballuar sfidat.

Çfarë mesazhi do t’u jepnit individëve që e shohin besimin dhe psikologjinë si dy botë të ndara?

I ftoj individët që të mos i shohin besimin dhe psikologjinë si të ndara. Të dyja mund të punojnë së bashku për të ofruar një qasje të plotë dhe të balancuar për shërimin e individit. Besimi mund të ofrojë forcë shpirtërore, ndërsa psikologjia sot ofron mjete për të trajtuar aspektet emocionale dhe psikologjike, duke ndihmuar individët të zhvillojnë një mirëqenie më të plotë.

Në praktikën tuaj, a vëreni që individët që kanë një lidhje shpirtërore të fortë me Allahun përballen ndryshe me ankthin, humbjen apo krizën personale?

Mbase, duhet bërë një studim i mirëfilltë për këtë çeshtje. Por, mund të them nga aq pak pervojë që individët që kanë një lidhje shpirtërore të fortë shpesh përballen me ankthin dhe krizën personale me forcë dhe kurajë më të madhe. Besimi i fuqishëm u ofron atyre aspekte kuptimore më të vetëdijshme të vuajtjes dhe ndihmon ata të shohin sfidat si mundësi për rritje shpirtërore dhe personale. Kjo ndihmon në lehtësimin e ankthit dhe procesit të shërimit.

Si mund t’ju kontaktojnë ata që kërkojnë mbështetje psikologjike dhe dëshirojnë të rezervojnë një konsultë me ju?

Ata mund të më kontaktojnë përmes faqes time të internetit, ku mund të rezervojnë një konsultë. Gjithashtu, mund të më dërgojnë një mesazh përmes rrjeteve sociale për t’u informuar mbi mundësitë e trajtimit dhe mbështetjes që ofrojmë.

Në një shoqëri ku shpesh problemet psikologjike interpretohen si dobësi personale apo “probleme karakteri”, mesazhi i Kismete Sykajt është i qartë: kërkimi i ndihmës psikologjike është një akt force dhe vetëdijeje.
Ajo thekson se përmirësimi i shëndetit mendor në Shqipëri kërkon jo vetëm më shumë profesionistë dhe shërbime të aksesueshme, por edhe një ndryshim kulturor në mënyrën se si shoqëria e kupton dhe e trajton mirëqenien psikologjike.
Sipas saj, kombinimi i mbështetjes profesionale, zhvillimit personal dhe dimensionit shpirtëror mund të ndihmojë individët të përballen më mirë me ankthin, humbjen dhe sfidat e jetës.

Related Posts

Leave a comment