narrativashqiptare.com

Nga qendra shëndetësore te laboratorët shkencorë: Historia e 17-vjeçarit nga Mati që po ndryshon komunitetin

WhatsApp Image 2026-02-04 at 00.03.06

Nga: Merjeme Tota

Në një Shqipëri ku emigrimi për shumë të rinj shihet si zgjidhja e vetme, Brus Hysenlikaj ka zgjedhur rrugën më të vështirë: të qëndrojë dhe të veprojë. Vetëm 17 vjeç, por me një pjekuri që sfidon stereotipet, ai nuk është thjesht një aktivist rinor – është një shembull konkret se përgjegjësia nuk matet me moshë.

Nga rehabilitimi i Qendrës Shëndetësore në Frankth, te modernizimi i laboratorëve shkencorë në gjimnazin “28 Nëntor” në Burrel, Brus ka realizuar iniciativa që shpesh mbeten vetëm premtime në gojën e zyrtarëve. Në këtë intervistë për Narrativa Shqiptare, ai flet hapur për rrugëtimin e tij, sfidat e gjeneratës Z dhe vizionin për një Shqipëri ku rinia – sidomos ajo rurale – nuk është thjesht spektatore, por aktore e vendimmarrjes.

Brus, në vetëm 17 vjeç, ti je bërë kryetar i KVR në Mat. Si ndodhi që more këtë përgjegjësi kaq të madhe në moshën tënde?

Në fakt, mosha për mua nuk ka qenë kurrë pengesë, por motivim. Përgjegjësia lindi natyrshëm nga dëshira për të mos qenë thjesht një spektator i problemeve të komunitetit tim. Zgjedhja si kryetar i KVR erdhi si besim i bashkëmoshatarëve të mi ndaj vullnetit tim për të lëvizur gjërat përpara. Kur e do vendin tënd, përgjegjësia nuk peshon, por të rrit para kohe.

Çfarë do të thotë për ty “aktivizmi rinor”? Si ndryshon ai nga aktivitetet e zakonshme të të rinjve?

Aktivizmi rinor për mua është “të marrësh fatin në duar”. Ndryshe nga aktivitetet e zakonshme që shpesh janë argëtuese apo pasive, aktivizmi kërkon që ti të analizosh, të propozosh dhe të veprosh. Është diferenca mes të ankuarit në kafe dhe të trokiturit në dyert e institucioneve me një projekt konkret në dorë.

Pse vendose të kandidoje për Këshillin Kombëtar të Rinisë? Çfarë të shtyu në këtë vendim?

Kandidimi për Këshillin Kombëtar të Rinisë erdhi si një nevojë për të çuar zërin e Matit në tryezat ku merren vendimet e mëdha. Shpesh periferitë harrohen, ndaj vendosa që sfidat tona të mos mbeten lokale, por të adresohen në nivel kombëtar, duke dëshmuar se rinia e Matit por jo vetem ka potencial të jashtëzakonshëm.

“Pesë vjet më vonë, si do të doje që kontributi yt të ndikojë te rinia shqiptare?”

Pesë vjet më vonë, do të doja të shihja një rini që nuk e sheh emigrimin si opsionin e vetëm. Do të doja që kontributi im të ketë shërbyer si një “shkëndijë” që i ka bindur të rinjtë se nëse ne nuk investojmë te vendi ynë sot, askush tjetër nuk do ta bëjë për ne.

Një nga arritjet më të dukshme është rehabilitimi i Qendrës Shëndetësore Frankth. Mund të na tregosh fillimin e këtij projekti dhe sfidat kryesore që hasët?

Projekti i implementuar ne Frankth ka qene nje projekt me te vertete domethenes dhe shume i nevojshem. Filloi nga nevoja emergjente e banorëve për shërbim dinjitoz. Sfida kryesore ishte skepticizmi – shumë mendonin se disa të rinj nuk mund të ndryshonin një realitet të harruar prej vitesh. Na u desh tëse me vullnet dhe transparencë, tran konkuronim per ta fituar si projekt.

Sa të rinj morën pjesë në këtë proces dhe si ka ndryshuar funksionimi i qendrës pas rehabilitimit?

Kemi qene grup me 4 veta ku kemi konkuruar. Sot, qendra nuk është thjesht një godinë e lyer, por një mjedis funksional me kushte higjienike dhe pajisje bazë,ku stafi mjekesor dhe pacientet tashme kane kushte komode dhe bashkekohore.

Modernizimi i laboratorëve shkencorë ishte një tjetër nismë e rëndësishme. Pse ishin në gjendje të keqe dhe çfarë ndryshimesh solli ndërhyrja juaj?

Laboratorët ne gjimnazin ku une studioj “28 Nentori”Burrel ishin pothuajse të papërdorshëm, me pajisje të vjetruara që nuk i shërbenin kurrikulës moderne. Ndërhyrja jonë synoi t’i kthente këto hapësira në laboratorë realë kërkimi, ku nxënësit mund të prekin shkencën e jo vetëm ta lexojnë në tekste të vjetra. Ky është hapi i parë drejt një arsimi cilësor.

Nga projektet që ke udhëhequr në Mat, sa njerëz kanë përfituar drejtpërdrejt?

Nëse llogarisim shërbimet shëndetësore, nxënësit që përdorin laboratorët dhe komunitetin që përfiton nga aktivitetet mjedisore, shifra shkon në qindra qytetarë të Matit. Por përfitimi më i madh është rritja e besimit të komunitetit te rinia.

Në STAR Forum Tirana 2025, u fokusove te problemet e të rinjve në tregun e punës. Cilat ishin tre sfidat më të mëdha që identifikove?

Në STAR Forum Tirana 2025, identifikuam tre shtylla:
1. Hendeku mes asaj që mësohet në shkollë dhe kërkesave të tregut.
2. Mungesa e praktikave të paguara që ofrojnë eksperiencë reale.
3. Diskriminimi i të rinjve pa përvojë, të cilëve u kërkohet “5 vite eksperiencë” që në punën e parë.

Si mendon se mund të hyjnë më lehtë në tregun e punës gjenerata Z?

Gjenerata Z ka një avantazh: teknologjinë. Rruga më e lehtë është kombinimi i aftësive digjitale me ato “soft skills” (komunikimi, lideriteti). Gjithashtu, duhet të kërkojmë më shumë programe mentorimi ku ekspertët e vjetër të udhëheqin energjinë tonë.

Si do të bësh që zëri i të rinjve nga zonat rurale, si Mati, të dëgjohet dhe të marrë peshë në vendimmarrje?

Do ta bëj përmes rrjetëzimit. Zëri i një të riu nga Mati mund të mos dëgjohet në Tiranë, por zëri i një grupi të organizuar që përfaqëson të gjithë rininë rurale është i pamundur të injorohet. Unë do të jem ai që do t’i kujtoj çdo zyrtari se Shqipëria nuk mbaron te qendra e kryeqytetit.

Sipas teje, cilat ndryshime institucionale janë më urgjente për të përfshirë realisht të rinjtë në vendimmarrje?

Krijimi i kuotave të detyrueshme për të rinjtë në bordet këshillimore të bashkive dhe rritja e buxheteve për grantet rinore. Nuk mund të kemi përfshirje reale nëse rinia trajtohet vetëm si dekor nëpër aktivitete festive.

Eseja jote mbi të shkuarën dhe të ardhmen është shumë filozofike. Si e shpjegon kjo filozofi udhën tënde të përditshme dhe veprimet që merr?

Filozofia ime është e thjeshtë: unë nuk e shoh të shkuarën si pengesë por si menyre reflektimi dhe permisimi. Çdo veprim që marr sot është një “tullë” për atë që do të jem nesër. Veprimet e mia udhëhiqen nga disiplina, jo vetëm nga dëshira.

“E shkuara është mësuese, e ardhmja një mundësi.” Ka pasur momente kur nuk besove në këtë. Si e riktheve shpresën në ato kohëra?

Sigurisht që ka pasur momente dekurajimi, sidomos kur has në barriera burokratike. Shpresën e kam rikthyer duke parë rezultatet e vogla – një qendër shëndetësore e rregulluar, një laborator i ri, apo buzëqeshjen e një vullnetari. Këto fitore të vogla të mbajnë në këmbë për betejat e mëdha.

Si ka ndikuar partneriteti me Vizion OJF në zhvillimin e aftësive të tua si lider?

Vizion OJF ka qenë nje ndihmese e madhe per mua. Ata më kanë mësuar se lideriteti nuk është të japësh urdhra, por të shërbesh. Partneriteti me ta më ka pajisur me mjetet e nevojshme për menaxhimin e projekteve dhe me besimin se ndryshimi vjen përmes strukturës dhe bashkëpunimit.

Dhe si e ka mbështetur British Council dhe Agjencia Kombëtare e Rinisë projektet që ke realizuar deri tani?

Mbështetja e British Council dhe Agjencisë Kombëtare të Rinisë ka qenë jetike. Ata kanë siguruar jo vetëm anën financiare, por edhe njohuritë dhe platformat ku ne të rinjtë mund të shfaqim kapacitetet tona. Janë këto partneritete që i kthejnë idetë tona në realitet të prekshëm.

Si mund t’i ndihmosh të rinjtë që nuk kanë informacion apo njohuri mbi këto mundësi dhe nuk e dinë si të angazhohen në aktivitetin rinor?

Nuk ishte diçka që e planifikova me milimetra. Thjesht, kur shikon që në vendin tënd gjërat nuk lëvizin, ke dy rrugë: ose të ankohesh, ose të hysh vetë në lojë. Zgjodha të dytën. Mosha është thjesht numër; ajo që peshon është sa je i gatshëm të sakrifikosh nga koha jote për të mirën e të gjithëve.

Biseda me Brus Hysenlikaj nuk ishte një intervistë e zakonshme. Ishte një thirrje zgjimi për një Shqipëri që shpesh harron se, ndonëse është një vend i vogël, ka nevojë për të rinj që besojnë se mund të ndryshojnë diçka.

Në një vit kur shumica e të rinjve debatojnë nëse duhet apo jo të ikin jashtë, Brus zgjodhi të qëndrojë. Jo nga nevoja, por nga zgjedhja. Jo sepse nuk ka mundësi të tjera, por sepse e sheh Shqipërinë ndryshe – jo si një problem të përfunduar, por si një mundësi ende të paplotësuar.

Nga Mati në Këshillin Kombëtar të Rinisë, Brus Hysenlikaj nuk është thjesht një emër në një listë. Ai është dëshmi se ndryshimi nuk vjen nga zyrat – vjen nga divani i një të riu që vendos të mos jetë spektator.




 

Leave a comment