narrativashqiptare.com

Miku” i vogël në kopsht, “miku” i madh për të hyrë në listë?

-Një prind në pritje të një emaili që nuk vjen kurrë

kopesht lodra lajm unspleash
Nga: Desiana Hysa


-Një prind në pritje të një emaili që nuk vjen kurrë

Për disa prindër sezoni i verës përfundon me përgatitjet për çanta, rroba dhe emocione të ditës së parë në kopsht, ndërsa për disa të tjerë sezoni mbyllet me… pritje të një emaili që nuk vjen kurrë.
Një prind i cili ka aplikuar që në muajin qershor për regjistrimin e fëmijës në një nga kopshtet publike të kryeqytetit Tiranë, shprehet i shqetësuar se ende nuk ka marrë asnjë njoftim, megjithëse data 26 gusht është përcaktuar si afati përfundimtar i përgjigjeve.

“Jam në ankth sepse po afron fillimi i vitit të ri dhe ende nuk e di nëse fëmija im do të pranohet në kopshtin ku kemi aplikuar. Kam ndjekur të gjitha hapat që kërkohen për regjistrimin,por nuk kemi marrë asnjë komunikim”, shprehet prindi.

Prindi tregon që aplikimin e ka bërë online përmes platformës e-albania është interesuar edhe fizikisht në institucion për një përgjigje,por është përcjellë me të njëjtën frazë: Përgjigjja ju vjen në e-mail në datën 26 gusht”.

Në fakt, ky rast nuk është i izoluar. Shumë prindër në kryeqytet kanë të njëjtën dilemë: presin për një njoftim që nuk mbërrin kurrë, ndërsa kalendari ecën përpara dhe data e fillimit të vitit të ri është gjithnjë e më afër. Për një pjesë të tyre, kjo situatë nuk është vetëm shqetësuese emocionalisht, por edhe praktikisht: shumë prindër duhet të organizojnë punën, kujdesin për fëmijët dhe buxhetin familjar në bazë të një informacioni që mungon.

Pritja nuk është ajo që e shqetëson më shumë,por ai thotë se në rrethin e tij shoqëror ka dëgjuar zëra që disa fëmijë janë futur më parë sepse kanë pasur një “mik”, jo një aplikim.

Në një realitet ku sistemi elektronik teorikisht synon transparencë dhe barazi, dyshimi për “rrugë të shkurtra” përmes njohjeve personale vetëm sa e forcon perceptimin se rregullat vlejnë jo për të gjithë njësoj. Ky perceptim jo vetëm dëmton besimin e qytetarit tek institucionet, por e vendos prindin në një pozitë ku ndihet i pafuqishëm dhe i padrejtësuar.

Ndërkohë, zyrtarisht, institucionet arsimore ende nuk kanë bërë një deklaratë për situatën, ndërsa prindërit që s’kanë ndonjë mik, kanë filluar të shqyrtojnë opsione si gjyshërit full-time, çerdhet private jashtë buxhetit, ose thjesht durimin olimpik.

Nëse gjyshërit mbajnë mbi supe përgjegjësi që nuk u takon, kopshtet private ofrojnë një zgjidhje vetëm për një pjesë të vogël të prindërve që kanë mundësi financiare. Për shumicën tjetër, mbetet vetëm pasiguria dhe ndjenja e padrejtësisë.

Ata kërkojnë që institucionet përgjegjëse të reagojnë me qartësi, transparencë dhe barazi, për të shmangur pasigurinë ,stresin në këtë periudhë të rëndësishme familjare. Të garantojnë që çdo fëmijë të ketë një vend në mënyrë të drejtë dhe pa ndërhyrje të panevojshme.

Ky nuk është thjesht një problem i një familjeje të vetme, por një çështje që prek dhjetëra e qindra prindër të tjerë. Në fund të fundit, barazia dhe transparenca duhet të fillojnë aty ku nis rrugëtimi i parë i një fëmije – në kopsht.

Related Posts

Leave a comment