Narrativa Shqiptare
Diaspora

Dhurata Hoti, shqiptarja në nivelet e larta të lidershipit financiar në Britani

Historia e Dhurata Hotit është një shembull i përkushtimit ndaj arsimit, punës, familjes dhe komunitetit.

Merjeme Tota

7 min lexim

Dhurata Hoti, shqiptarja në nivelet e larta të lidershipit financiar në Britani

Historia e Dhurata Hotit është një shembull i përkushtimit ndaj arsimit, punës, familjes dhe komunitetit. Përtej arritjeve të saj profesionale në nivelet më të larta të drejtimit financiar në Britaninë e Madhe, rrugëtimi i saj përfshin një kontribut të gjatë në mbështetje të komunitetit shqiptar, edukimin e brezave të rinj, mentorimin e profesionistëve dhe fuqizimin e grave.

Nga studimet ESOL te titulli FCCA dhe çmimi për studenten më të mirë

Rrugëtimi akademik i Dhurata Hotit në Britaninë e Madhe filloi me studimet e gjuhës angleze (ESOL), teknologjisë së informacionit dhe kontabilitetit në Greenwich College Londër.

Ajo vazhdoi studimet profesionale në AAT (Association of Accounting Technicians), ku u vlerësua ndër 100 studentët më të mirë në nivel kombëtar.

Më pas përfundoi studimet universitare në London South Bank University, duke u diplomuar me First Class Honours Degree në Financë dhe Kontabilitet, një arritje veçanërisht e rëndësishme duke qenë se studionte ndërkohë që punonte me kohë të plotë dhe kujdesej për tre fëmijët e saj.

Për rezultatet e shkëlqyera akademike, universiteti e nderoi me çmimin prestigjioz Faculty Prize for Best Graduating Student – Professional Accounting Course (ACCA).

Në atë periudhë, Dhurata ishte gjithashtu ndër gratë e para shqiptare në komunitetin e saj në Britani që arrinte një diplomë universitare me klasifikimin më të lartë akademik në këtë fushë dhe si rezultat vullnetarisht i shërbeu komunitetit shqiotar krahas punës në profesionin e saj me kohë të plotë.

Ajo vazhdoi më tej kualifikimin profesional, duke u bërë anëtare e Association of Chartered Certified Accountants (ACCA), dhe sot mban titullin FCCA – Fellow of the Association of Chartered Certified Accountants, si dhe FMAAT – Fellow Member of the Association of Accounting Technicians.

Arritjet e saj akademike u pasqyruan edhe në mediat shqiptare, ku u vlerësua si një studente shqiptare e dalluar, duke u bërë shembull frymëzimi për të rinjtë e komunitetit.

Nga financiere kontabiliste te Drejtoreshë e Përgjithshme Financiare ( CFO)

Gjatë karrierës së saj, Dhurata ka ndërtuar një rrugëtim të suksesshëm profesional, duke nisur nga pozicionet e kontabilistes dhe financieres e duke arritur në nivelet më të larta të drejtimit financiar, përfshirë Drejtoreshë e Financave dhe Operacioneve dhe Drejtoreshë e Përgjithshme Financiare (Chief Financial Officer – CFO).

Ajo ka mbajtur pozicione të rëndësishme drejtuese dhe këshilluese në institucione prestigjioze britanike, përfshirë University of London, university College London ( UCL) Royal Academy of Music dhe Bloomsbury Institute, College te ndryshme dhe kompani private.

Përvoja e saj përfshin gjithashtu kompani ndërkombëtare amerikane, si Hartmarx, W Diamond Group dhe Donna Karan New York (DKNY), ku ka drejtuar funksione financiare dhe ka bashkëpunuar me ekipe ndërkombëtare në Britani, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Europë dhe Azi.

Gjatë karrierës ka drejtuar ekipe të mëdha profesionale dhe ka qenë përgjegjëse për menaxhimin financiar, planifikimin strategjik, transformimin e sistemeve financiare, qeverisjen, kontrollin e brendshëm dhe zhvillimin organizativ.

Përvoja e saj shtrihet në sektorin privat, arsimin e lartë, organizatat bamirëse dhe konsulencën strategjike, duke i dhënë një perspektivë të gjerë mbi drejtimin financiar dhe menaxhimin e organizatave.

Mentore, Ambasadore e ACCA dhe folëse në konferenca profesionale

Përtej arritjeve në drejtimin financiar, Dhurata ka qenë vazhdimisht e angazhuar në zhvillimin dhe mentorimin e punonjësve, studentëve dhe profesionistëve të rinj.

Sot ajo është gjithashtu Ambasadore e ACCA, duke kontribuar në promovimin e profesionit të kontabilitetit dhe financës, mbështetjen e talenteve të reja dhe inkurajimin e brezave të rinj për të ndjekur karrierën e tyre profesionale.

Ajo merr pjesë si folëse, moderatore dhe paneliste në konferenca dhe aktivitete profesionale në Britaninë e Madhe, ku ndan përvojën e saj në lidership, transformim financiar, zhvillim profesional dhe menaxhimin e talenteve.

Për Dhuratën, një nga aspektet më të rëndësishme të lidershipit është jo vetëm arritja e rezultateve, por edhe zhvillimi i njerëzve dhe krijimi i mundësive për suksesin e të tjerëve.

Mbi një dekadë në shërbim të komunitetit shqiptar në Britani

Kontributi i Dhurata Hotit në komunitetin shqiptar në Britaninë e Madhe ka qenë i vazhdueshëm dhe kryesisht vullnetar.

Ajo ka qenë një nga bashkëthemelueset e organizatës shqiptare Ardhmëria, ku për më shumë se dhjetë vjet ka shërbyer si përgjegjëse e financave (Treasurer), duke kontribuar në administrimin financiar, organizimin e aktiviteteve dhe mbështetjen e familjeve shqiptare në procesin e integrimit në shoqërinë britanike.

Gjithashtu, për shumë vite ka mbajtur rolin e Sekretares së Organizatës (Company Secretary) për organizatën shqiptare Nënë Tereza, duke ndihmuar në qeverisjen, administrimin dhe zhvillimin e veprimtarive të saj.

Kontributi i saj nuk është kufizuar vetëm në këto dy organizata. Ndër vite, ajo ka ndihmuar edhe organizata të tjera shqiptare në procesin e themelimit, regjistrimit, organizimit dhe administrimit financiar.

Ka ofruar gjithashtu këshillim për individë dhe sipërmarrës shqiptarë që dëshironin të krijonin bizneset e tyre në Britaninë e Madhe, duke i orientuar në çështjet e regjistrimit, kontabilitetit, taksave dhe menaxhimit financiar.

Kontributi vullnetar pranë Ambasadës Shqiptare në Londër

Një pjesë tjetër e rëndësishme e angazhimit të Dhuratës ka qenë bashkëpunimi dhe mbështetja e ofruar për Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Londër.

Gjatë viteve, ajo ka ofruar këshillim dhe mbështetje financiare në mënyrë vullnetare, në periudha të ndryshme, gjatë mandateve të ambasadorëve Zef Mazi, Mal Berisha dhe Uran Ferizi.

Ky kontribut ka qenë pjesë e përkushtimit të saj për të mbështetur institucionet dhe iniciativat që lidhen me komunitetin shqiptar në Britaninë e Madhe.

Për Dhuratën, angazhimi komunitar nuk ka qenë asnjëherë thjesht një detyrë apo pozicion, por një përgjegjësi morale dhe një mënyrë për t’i dhënë diçka mbrapsht komunitetit nga i cili vjen.

Sipërmarrëse dhe themeluese e Horizons Advisory Consulting dhe Mira Wellbeing Network

Pas një karriere të gjatë në drejtimin financiar të organizatave dhe institucioneve të rëndësishme, Dhurata ka zhvilluar edhe aktivitetin e saj sipërmarrës.

Ajo është themeluese dhe drejtuese e Horizons Advisory Consulting Ltd, një kompani që ofron shërbime profesionale të konsulencës financiare, kontabilitetit dhe zhvillimit të biznesit.

Përmes kompanisë së saj, ajo mbështet biznese dhe organizata në përgatitjen e pasqyrave financiare, deklarimeve tatimore, planifikimin financiar, menaxhimin e financave, përmirësimin e sistemeve të kontabilitetit, transformimin financiar dhe zhvillimin strategjik.

Gjithashtu, Dhurata është themeluese dhe drejtuese e Mira Wellbeing Network, një organizatë me fokus në mirëqenien, mbështetjen dhe fuqizimin e individëve dhe komuniteteve.

Këto iniciativa pasqyrojnë dëshirën e saj për të përdorur njohuritë dhe përvojën profesionale jo vetëm për zhvillimin e bizneseve, por edhe për krijimin e mundësive dhe mbështetjen e njerëzve.

Nënë e tre fëmijëve: Suksesi i familjes, arritja më e çmuar

Përtej karrierës, angazhimeve profesionale dhe kontributit komunitar, Dhurata është nënë krenare e tre fëmijëve, të cilët kanë përfunduar studimet universitare dhe kanë arritur kualifikime në nivel master në Britaninë e Madhe, në fushat e shkencave biomjekësore, inxhinierisë civile dhe gazetarisë.

Ajo e konsideron arsimimin, zhvillimin dhe suksesin e fëmijëve të saj ndër arritjet më të rëndësishme të jetës.

Përgjatë viteve, ka arritur të ndërthurë përgjegjësitë familjare me studimet universitare, zhvillimin profesional, drejtimin e organizatave dhe punën vullnetare.

Historia e saj tregon se përkushtimi ndaj familjes dhe ambicia profesionale nuk janë domosdoshmërisht dy rrugë të ndara, por mund të ecin së bashku me vendosmëri, sakrificë dhe mbështetje të ndërsjellë.

Një mesazh për gratë dhe brezat e rinj shqiptarë

Nga një studente e gjuhës angleze dhe kontabilitetit në Greenwich, te diplomimi me rezultate të shkëlqyera, fitimi i titujve profesionalë FCCA dhe FMAAT, drejtimi financiar i institucioneve prestigjioze britanike dhe themelimi i bizneseve e organizatave të saj, rrugëtimi i Dhurata Hotit është dëshmi e fuqisë së arsimit, këmbënguljes dhe punës së palodhur.

Por për të, suksesi nuk matet vetëm me titujt profesionalë apo pozicionet drejtuese. Ai matet edhe me ndikimin pozitiv që mund të ketë në jetën e të tjerëve, me mundësitë që krijon për brezat e rinj dhe me kontributin që i jep komunitetit.

Sot, ajo vazhdon të ndajë njohuritë dhe përvojën e saj përmes mentorimit, angazhimit profesional, sipërmarrjes dhe veprimtarisë komunitare, duke synuar të frymëzojë veçanërisht gratë dhe të rinjtë shqiptarë që të besojnë në aftësitë e tyre dhe të mos heqin dorë nga ambiciet, pavarësisht vështirësive që mund të hasin.

Mesazhi i saj është i thjeshtë: Arsimi hap dyer, puna dhe këmbëngulja krijojnë mundësi, ndërsa suksesi merr vlerë të veçantë kur ndahet me të tjerët.

Shkruar nga

Merjeme Tota

Ndaje këtë histori

Newsletter

Qëndroni të informuar

Merr lajmet kryesore të Narrativa Shqiptare direkt në inbox.

Pa spam. Mund të çabonoheni në çdo moment.