narrativashqiptare.com

20 vite betejë dhe dashuri: Historia prekëse e Dorina Doces për djalin Mateo

mqteo dhe nana

Nga: Merjeme Tota

Tiranë – Dorina Doce, nënë e tre djemve, ka kaluar 20 vite të mbushura me sfida të jashtëzakonshme për të mbrojtur dhe kujdesur për djalin e saj të madh, Mateo. Historia e tyre nuk është vetëm një rrëfim i sakrificës së një nëne; është një testament i fuqisë, dashurisë pa kushte dhe vendosmërisë së një gruaje për fëmijën e saj.

“Mateo është dashuria ime e parë. Shtatzënia ishte normale dhe ne mezi e prisnim ardhjen e tij në jetë. Por kur kaluan tre javë nga data e lindjes, doktori vendosi ta stimulojë lindjen me katër gjilpëra brenda 30 minutave. Mateo kishte kordonin rreth qafës dhe gjatë lindjes e tërhoqi me forceps, pa më pyetur mua si nënë. Doli i mbytur, as nuk qante dhe ishte krejt i zi ne fytyre. Qëndroi 10 ditë në inkubator. Ditën e 9-të më thanë ta nxirrja, por unë refuzova – ai duhej të shihte specialistët në Tiranë.Ishte e qartë që diçka nuk shkonte, por unë nuk do e lija të dilte pa ndihmë të specializuar,” rrëfen ajo.

Në Tiranë, mjekët konfirmuan se mungesa e oksigjenit gjatë lindjes kishte dëmtuar trurin e Mateos. Por kur disa të afërm i sugjeruan Dorinës të mos e mbante fëmijën, ajo refuzoi kategorikisht:

“Ju kam thënë të gjithëve: Mateo është fati im, dhurata ime. Sa të kem jetë, nuk e lëshoj nga dora.”

Sfida e tyre nuk përfundoi këtu. Mateo sot është 20 vjeç, por ka nevojë për kujdes të vazhdueshëm si një foshnjë. Ai nuk ecën, nuk flet dhe ushqehet përmes sonde. Dorina kujton me dhimbje vitet e vështira në Suedi dhe më pas në Shqipëri:

“Në Suedi kaluam dy vite dhe me pas u kthyem në Shqipëri. Gjatë gjithë kësaj kohe, unë dhe burri luftonim nëpër azile dhe spitale, duke përballuar burokraci, paragjykime dhe mungesë ndihme. Shpesh e pafuqishme, por kurrë nuk u dorëzova.”

Kur Mateo kërkoi operacion për deformim të shtyllës kurrizore 57 gradë, sfida u bë akoma më e madhe. Dorina gjeti ndihmën e murgeshave në Korçë, të cilat e udhëzuan drejt spitalit në Trieste, Itali. Operacioni i gjatë 15-orësh ishte një moment vendimtar:

“Kur doktori tha se gjithçka shkoi mirë, unë qava pa pushim. Ishte dita më e vështirë dhe më e paharrueshme e jetës sime. Kam qarë aq shumë sa fytyra ime nuk dukej më si e imja. Por Mateo më jep forcë çdo ditë. Ai nuk flet, por më kupton, më shikon në sy dhe e ndjen kur nuk jam mirë. Ai është dashuria ime më e madhe.”

Përveç sfidave shëndetësore, Dorina është përballur edhe me paragjykimet e shoqërisë:

“Njerëzit më pyesin: ‘E keni në fis? Është trashëguar? Apo është bërë nga temperatura?’ Kur dal me Mateon, na shikojnë me keqardhje, sikur jeta jonë është e zezë. Por unë nuk lejoj që këto fjalë të më dobësojnë. Mateo është një fëmijë i shëndetshëm që u dëmtua nga një gabim i mjekut, dhe nuk ka asnjë të keqe në të.”

Dorina nuk harron të përmendë besimin e saj dhe fuqinë që i ka dhënë Zoti gjatë gjithë këtij rrugëtimi:

“Allahu na ka zgjedhur neve si nëna të forta për këta fëmijë. Edhe kur nuk kisha mbështetje nga familja, unë i lutesha Allahut. Ai na ka dhënë forcë të vazhdojmë. Mateo është dhurata më e madhe e Zotit dhe unë do ta mbaj me çdo kusht.”

Dashuria e saj është e pakufishme dhe përtej çdo përpjekjeje:

“Mateo as ec, as flet, por është shumë i zgjuar, i ndjeshëm dhe i dashur. E përkëdhel si një foshnjë, i këndoj, flas gjithë ditën, e nxjerr për xhiro. Kjo më jep forcë të mos dorëzohem, edhe për fëmijët e tjerë. Ata kërkojnë kujdes, angazhim dhe dashuri, por Mateo më jep energji çdo ditë.”

Sot, Mateo ka nevojë për karrocë me mbështetje të kokës, karrocë dushi dhe vinç ngritës, sepse peshon shumë dhe Dorina nuk mund ta mbajë më fizikisht.

Mesazhi i saj për nënat e tjera:

“Mos u dorëzoni. Luftoni për fëmijët tuaj. Edhe nëse nuk keni mbështetje nga familja, mbështetuni te Zoti. Ne jemi të privilegjuara. Fëmijët tanë janë dashuri pa kushte. Nuk është e lehtë, por do ja dalim.”

Historia e Dorinës është një rrëfim për guximin, dashurinë pa kushte dhe vendosmërinë e jashtëzakonshme të një nëne. Çdo ditë, ajo lufton për Mateo-n, duke treguar se dashuria e një nëne mund të përballojë çdo sfidë dhe të ndryshojë jetën e një fëmije.

Mateo

Mateo nuk ka nevojë vetëm për ndihmë të përgjithshme – ka nevojë për gjërat më bazike që do t’i bëjnë jetën më të lehtë. Karroca e tij është e vjetër, e prishur dhe tashmë e vogël për trupin e tij, sepse ai është bërë burrë. Dorina, e cila për 20 vite e ka mbajtur në krahë dhe e ka shtyrë çdo ditë, sot nuk ka më forcë ta ngrejë vetë. Mateo ka nevojë për një karrocë të re, një karrocë dushi dhe një vinç ngritës, sepse trupi i tij i rritur nuk mund të përballohet më pa këto mjete.

 “Unë nuk kërkoj asgjë për vete,” – thotë Dorina, – “veçse Mateo të ketë mundësinë të lëvizë dhe të jetojë me dinjitet. Ai meriton më shumë se kaq.

Çdo ndihmë, sado e vogël, mund të bëjë diferencën për jetën e Mateos. Nëse dëshironi të kontribuoni, kontaktoni Dorinën në Instagram: @dorina_topllari. Sepse prapa çdo kontributi nuk është thjesht një ndihmë materiale, por një shpresë e re për një nënë që ka luftuar e vetme për 20 vite me radhë.