narrativashqiptare.com

Dinjiteti në rrezik: Çfarë pashë si studente në maternitet

WhatsApp Image 2026-04-26 at 11.53.23

Opinion nga Xheni Gjoni

Kur regjistrohesh në Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike, idealizmi është shoqëruesi yt më i madh. E imagjinon veten me bluzën e bardhë, duke asistuar në mrekullinë më të madhe të natyrës: sjelljen në jetë të një qenieje të re. Por, pas dyerve të rënda të institucioneve tona, aty ku drita nuk fiket kurrë, unë zbulova një realitet që asnjë libër i Anatomisë apo i Biokimisë nuk ma kishte treguar.

Të jesh studente mjekësie në Shqipëri do të thotë të mësosh që në vit të parë se spitali është shpesh pasqyra më e dhimbshme e shoqërisë sonë. Është një vend ku mrekullia e lindjes bashkëjeton me vështirësitë e një sistemi që shpesh vuan nga mungesa e burimeve, por edhe nga një lloj ftohtësie që të rëndon në shpirt.

Në hapat e mi të parë si praktikante, e ndjeva veten shpesh si një “hije”. Është e dhimbshme kur etja jote për të mësuar se si monitorohen rrahjet e zemrës së fetusit apo si kryhen procedurat mjekësore, përplaset me një mur padurimi. Në ato korridore, ku dëgjohen bërtitje që jo gjithmonë vijnë nga dhimbja e lindjes, kupton se sa e brishtë është dinjiteti i pacientit. Pashë gra që në momentin e tyre më të vështirë kishin nevojë për një fjalë të ngrohtë, por gjenin një ton urdhërues. Pashë duar që nuk kishin kohë për një gotë ujë, sepse rutina e ka mposhtur empatinë.

Gjatë kësaj përvoje, më ka peshuar shumë edhe pasiguria që të fal sistemi. Kur kthehesh në shtëpi dhe dëgjon në televizion lajme tragjike, si ai rasti që na trondi të gjithëve ku një nënë humbi jetën sepse thuhej se mungonte gjaku, kupton që ato nuk janë thjesht kronika. Janë britma të një realiteti që ne e prekim çdo ditë. Kur dëgjon se si dy binjakë mbetën jetimë për shkak të dështimeve të tilla, si studente nuk mund të mos pyesësh: Në çfarë duarsh po e lëmë jetën?

Praktika ime nuk ishte vetëm buzëqeshje. U përballa me situata kritike ku jeta varej nga një fije peri, pashë dhimbjen e heshtur të aborteve dhe urgjencat ku saktësia ishte gjithçka. Më duhej të mblidhja veten shpejt, të fshija lotët dhe të bëhesha gati për pacientin tjetër, sepse në mjekësi duhet të jesh e fortë edhe kur shpirti të dridhet.

Pati ditë kur u ktheva në shtëpi me lot në sy, duke pyetur veten nëse kjo ishte vërtet rruga ime. Por vendosa të qëndroj. Do të qëndroj pikërisht sepse pashë se ku çalojmë.

Do të qëndroj që nesër, kur të jem unë mami përgjegjëse, të jem ajo dorë që ofron mbështetje pa kushte. Do të qëndroj që dora ime të jetë ajo që e mbulon nënën kur ajo nuk ka më fuqi dhe që e prek foshnjën me delikatesën që meriton një qenie njerëzore. Unë zgjedh të jem një mami që ndryshon realitetin përmes humanizmit. Sepse jeta meriton shumë më tepër se sa një procedurë mekanike; ajo meriton dinjitet që në sekondën e parë.

Share

Related Posts

Leave a comment