Narrativa Shqiptare
Të ndryshme

Kush qëndron pas “Albanian Career & Business Summit UK 2026”? Tre gazetarë shqiptarë me një vizion të ri për komunitetin në Britani

Pas një ideje që synon të afrojë komunitetin shqiptar me mundësitë e punësimit, biznesit dhe zhvillimit profesional në Mbretërinë e Bashkuar qëndron një ekip prej tre gazetarësh shqiptarë, të cilët…

Merjeme Tota

2 min leximPërditësuar më 21 gusht 2026

Kush qëndron pas “Albanian Career & Business Summit UK 2026”? Tre gazetarë shqiptarë me një vizion të ri për komunitetin në Britani

Pas një ideje që synon të afrojë komunitetin shqiptar me mundësitë e punësimit, biznesit dhe zhvillimit profesional në Mbretërinë e Bashkuar qëndron një ekip prej tre gazetarësh shqiptarë, të cilët prej vitesh ndjekin nga afër historitë, sfidat dhe sukseset e diasporës.

Londër – Pas prezantimit të “Albanian Career & Business Summit UK 2026”, një event i ri që synon të krijojë ura lidhëse mes punëdhënësve, bizneseve, institucioneve dhe komunitetit shqiptar në Britani, vëmendja tashmë është përqendruar te nisma dhe njerëzit që e kanë sjellë atë në jetë.

Ky projekt është iniciuar nga Narrativa Shqiptare, media shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar, e njohur për trajtimin e historive të komunitetit, çështjeve sociale dhe promovimin e zërit të shqiptarëve në diasporë. Ideja për organizimin e këtij eventi lindi pas viteve të punës në terren dhe komunikimit të vazhdueshëm me qindra shqiptarë në Britani. Gjatë intervistave me sipërmarrës, profesionistë, studentë dhe familje shqiptare, organizatorët identifikuan një nevojë të qartë: mungesën e një eventi që të sillte në të njëjtën hapësirë punëdhënësit, bizneset, institucionet arsimore dhe komunitetin.

“Në punën tonë si gazetarë kemi dëgjuar histori suksesi, por edhe sfida të shumta. Kemi takuar të rinj që kërkonin mundësi punësimi, profesionistë që donin të zhvillonin karrierën dhe biznese që kishin nevojë për staf të kualifikuar. Pikërisht nga këto histori lindi ideja për të krijuar një event që i bashkon të gjitha këto nevoja në një vend”, shprehen organizatorët.

Albanian Career & Business Summit UK 2026 synon të jetë më shumë sesa një konferencë tradicionale. Eventi pritet të mbledhë kompani, sipërmarrës, institucione arsimore, profesionistë dhe figura të njohura, duke u ofruar pjesëmarrësve mundësinë të aplikojnë për vende pune, të njihen me programe trajnimi dhe kurse profesionale, të informohen mbi mundësi bursash dhe të krijojnë kontakte të reja profesionale.

Vizioni i organizatorëve shkon përtej organizimit të një aktiviteti njëditor. Synimi është që ky event të shndërrohet në një pikë referimi për komunitetin shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar, duke kontribuar në rritjen e mundësive për punësim, zhvillim profesional, bashkëpunim mes bizneseve dhe fuqizimin e rrjetit shqiptar në Britani.

Me këtë iniciativë, organizatorët synojnë të ndërtojnë një urë të re bashkëpunimi mes komunitetit, biznesit dhe institucioneve, duke krijuar një hapësirë ku informacioni të shndërrohet në mundësi konkrete dhe kontaktet në partneritete afatgjata.

Një ide e lindur nga gazetaria, me ambicien për të sjellë një format të ri që vendos në qendër punësimin, zhvillimin profesional dhe bashkëpunimin e komunitetit shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar.

Shkruar nga

Merjeme Tota

Ndaje këtë histori

Newsletter

Qëndroni të informuar

Merr lajmet kryesore të Narrativa Shqiptare direkt në inbox.

Pa spam. Mund të çabonoheni në çdo moment.